​Dyfishohet numri i vizitorëve në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës

Shqipëria

​Dyfishohet numri i vizitorëve në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës

Më: 18 janar 2022 Në ora: 07:59
Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës, priti rreth 54 mijë vizitorë vendas e të huaj, gjatë vitit 2021, ose dyfishin e numrit të vizitorëve të së njëjtës periudhë të 2020-ës.

Ministrja shqiptare e Shtetit për Standardet e Shërbimet, Milva Ekonomi, publikoi shifrat sipas të cilave, Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës, gjatë 2020, u vizitua nga 25 157 vizitorë, ndërsa në 2021 numri i tyre u dyfishua në 54 951 vizitorë.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat