“Faleminderit Shqipëri, ju duam juve!”- Erdogan poston fotot nga vizita në Shqipëri

Shqipëria

“Faleminderit Shqipëri, ju duam juve!”- Erdogan poston fotot nga vizita në Shqipëri

Më: 18 janar 2022 Në ora: 12:13
Pamje nga pritja e Erdoganit në Shqipëri

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duket se është ndjerë mjaft mirë gjatë vizitës në Shqipëri. Në mbyllje të vizitës, në llogarinë e tij në Instagram u postua një galeri me foto, me një përshkrim në shqip: “Faleminderit Shqipëri, ju duam juve!”.

Dita e Erdoganit në Shqipëri nisi me dorëzimin e çelësave të shtëpive të reja për banorët e Laçit, të cilët i kishin humbur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në total Turqia kontribuoi për ndërtimin e 522 banesave të reja, për një kosto prej 42 milionë eurosh, siç tha vetë presidenti turk. Në Laç, sheshi kryesor i qytetit mori gjithashtu emrin e Erdogan, si vlerësim për ndihmën e Turqisë.

Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe protokolleve mes dy qeverive, Erdogan mbajti edhe një fjalim në kuvendin e Shqipërisë, ku kërkoi që të luftohej shtrirja e organizatës “Hizmet” e klerikut Fetullah Gulen, e quajtur organizatë terroriste (FETO) nga ana e Turqisë.

“Rrezikoni që të përsëritet në Shqipëri, ajo që ndodhi në Turqi”, ishte mesazhi i Erdogan për ligjvënësit shqiptarë, duke kujtuar përpjekjen për grusht shteti të vitit 2015 në vendin e tij, që sipas autoriteteve turke u orkestrua nga Gulen.

Vizitën në Shqipëri, Erdogan e mbylli me përurimin e xhamisë së Et’hem Beut, të restauruar nga TIKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Bashkërendim.

Në sheshin “Skënderbej” Erdogan u prit nga disa qindra mbështetës të tij, të ardhur edhe nga Maqedonia e Veriut e Kosova, të cilët mbanin flamuj të Shqipërisë dhe Turqisë.

Image
Postimi i Erdoganit

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat