VOA: Trafiku i emigrantëve klandestinë, 47 arreste në Shqipëri e Itali

Shqipëria

VOA: Trafiku i emigrantëve klandestinë, 47 arreste në Shqipëri e Itali

Më: 19 janar 2022 Në ora: 16:18
Operacion kunder trafikut te emigranteve klandestine, 47 te arrestuar mes Shqiperise dhe Italise

Një operacion i përbashkët i policisë shqiptare, italiane dhe greke, i shtrirë në të tre këto shtete, çoi sot në arrestimin e 47 persona, të dyshuar si anëtarë të një rrjeti kriminal që merrej me trafikimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt Italisë, me synim vendet e tjera të Bashkimit europian.

Hetimet e nisura në vitin 2020, u zhvilluan nga një skuadër e përbashkët e ngritur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali, dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordinimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL-it.

Rrjeti i trafikantëve kishte dy grupe në Itali, një në Shqipëri dhe një tjetër në Turqi, prej dhe nga organizohej transporti i emigrantëve kryesisht nga Iraku, Siria, Egjipti apo dhe vende të tjera. Sipas hetimeve kalimi i paligjshëm drejt Italisë, me rrugë detare apo tokësore, sigurohej kundrejt një shpërblimi monetar nga 5000 deri në 10000 euro.

Hetimet kanë zbuluar të paktën 30 raste të trafikut të mbi 1100 emigratëve klandestinë. Në Shqipëri, autoritetet deklaruan se janë dokumentuar shtatë episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kapur në flagrancë në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Në Shqipëri janë arrestuar 25 persona, nga të cilët 18 shqiptarë dhe 7 të tjerë të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq). Autoritetet shqiptare bënë të ditur se “janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave”.

Në Itali janë arrestuar 22 persona, ku përveç disa shtetasve italianë, pjesa dërrmuese ishin iranianë, irakenë, ukrainas, gjeorgjianë, sirianë apo dhe nga Kirgistani. Në Itali vepronin dy grupe me detyra të ndara. Njëri merrej me pritjen e klandestinëve dhe të skafistëve, duke I ndihmuar këta të fundit për t’u rikthyer në vendet e tyre. Ndërsa grupi i dytë merrej me shpërndarjen emigrantëve në territorin italian apo kalimin e tyre në shtete të tjera të BE-së./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat