Temperaturat ekstreme, kreu i Policisë Rrugore thirrje qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme dhe shpejtësinë

Shqipëria

Temperaturat ekstreme, kreu i Policisë Rrugore thirrje qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme dhe shpejtësinë

Më: 22 janar 2022 Në ora: 12:42
Altin Qato

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, i bëri thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të pajisen me goma dimërore, të reduktojnë shpejtësinë, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, në këto ditë të të ftohtit ekstrem që ka ‘mbërthyer’ vendin.

Përmes një deklarate për media, Qato informoi përdoruesit e rrugës se të gjitha akset në vend janë të kalueshme, me përjashtim të disa rrugëve në zona malore, të cilat janë të përshkueshme me zinxhirë, për shkak të ngricave.

Deklarata e plotë:

Nisur nga situata e krijuar si pasojë e motit të keq, gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës me rreshje dëbore në disa zona, si dhe nga temperaturat shumë të ulëta duke shkaktuar ngrica e akull, kryesisht në akset rrugore rurale malore, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për t’ju ardhur në ndihmë gjithë përdoruesve të rrugës në rast nevoje.

Shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, Forcat Shqiponja dhe ato të FLO-së, janë të gjitha në terren, në të gjithë vendin, duke monitoruar qarkullimin dhe për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje.

Në zonat me rrisk, do ketë patrullime të shtuara nga Policia Rrugore për të orientuar drejtuesit e mjeteve.
Njëkohësisht Policia Rrugore po bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktuese, për mbajtjen pastër të rrugëve dhe për të pasur në gadishmëri mjetet borëpastruese në rast të prezencës së akullit apo dëborës në rrugë.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që në rradhë të parë të shmangin lëvizjet e panevojshme kryesisht në zona malore ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit.

✅ Të vendosin gomat dimërore dhe të kenë me vete zinxhirët të gjithë ata drejtues mjetesh, që lëvizin në zonat ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit.
✅ Të gjithë drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara apo udhëzimeve të shërbimeve të policisë për akse rrugore të veçanta, të tregojnë kujdes dhe të ruajnë distancën gjatë lëvizjes.

✅ Të mos përdorin në asnjë mënyrë celularin, gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit dhe drejuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse.
✅ Të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra në rrugë dhe të qëndrojnë në radhë në rast se në ndonjë segment rruge për arsye të ndryshme, mund të ketë qarkullim të ngadaltë apo ndalim qarkullim.

Policia Rrugore është prezente në rrugë në ndihmë të drejtuesve të automjeteve, kësaj radhe jo për t’i ndëshkuar, por për t’i ndihmuar me qëllim sigurinë e jetës.
Për çdo problematikë dhe ndihme, telefononi në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital dhe policia do jetë menjëherë në ndihmën tuaj.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve që të kontribuojnë, që bashkërisht ta kalojmë edhe këtë situatë të vështirë të motit me temperatura shumë të ulëta, duke kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë së jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat