“Vrava një person, kjo është arma”/ Adoleshenti zbulon planin e hakmarrjes për babain e vrarë

Shqipëria

“Vrava një person, kjo është arma”/ Adoleshenti zbulon planin e hakmarrjes për babain e vrarë

Më: 27 janar 2022 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Adoleshenti Florian Përvathi e kishte thurur prej kohësh planin për vrasjen e fqinjit të tij Lek Lekgjonaj.

Pas krimit të rëndë mesditën e së hënës, detaje të tjera dalin në dritë rreth asaj që ndodhi në fshatin Manati të Lezhës. I riu ka deklaruar në Polici se ishte pajisur me armë prej të paktën 1 viti, por pa treguar se si e kishte siguruar pistoletën me mulli me të cilën kreu vrasjen.

RAPORTI

Referuar raportit të policisë, i cili tashmë i është përcjellë Prokurorisë, rezulton se 17-vjeçari Florian Përvathi menjëherë pas ngjarjes ka shkuar te zyra informacionit në Komisariatin e Policisë Lezhë, ka lënë armën mbi tavolinë dhe i traumatizuar e në gjendje të rënduar psikologjike ka thënë se kishte qëlluar me armë dhe vrarë një person. Menjëherë, blutë janë vënë në lëvizje dhe të orientuar nga i riu, të cilin e morën me vete kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Aty gjetën të vdekur 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj. Pasi Policia konstatoi çfarë kishte ndodhur, prangosen menjëherë 17-vjeçarin Florian Përvathi dhe e dërguan në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, aty ku po qëndrim tashmë që prej ditës së hënë. Këtë të mërkurë Prokuroria pritet të dërgojë në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve te gjuetisë dhe sportive” parashikuar nga nenet 78/ a, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

EKSPERTIZA

Sipas raportit të ekspertizës mjekoligjore, 65-vjeçari ishte qëlluar me 6 plumba dhe njëra prej tyre ka qenë në kokë. “Në kufomën e shtetasit Lek Lekgjonaj vërehen 6 vrima hyrjeje dhe 3 dalje. Është kryer autopsia dhe në pjesën e kafkës është gjendur një predhë e deformuar në dukje armë për të cilën është përpiluar vendimi i ekspertit balistik”, thuhet në raportin mjekoligjor. Gjithashtu, është përpiluar dhe vendimi i ekspertimit teknik balistik të armës dhe gëzhojave. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së Florianit është gjetur dhe një armë në dukje gjahu. 17-vjeçari Florian Përvathi ekzekutoi të hënën me armë zjarri fqinjin e tij Lek Lekgjonaj, pasi vëllai i këtij i të fundit i kishte vrarë babanë në vitin 2009.

4 VITE BURG PËR NJË VRASJE

Për vrasjen e fqinjit të tij me armë zjarri, me 21 nëntor të vitit 2009, Ndue Lekgjonaj bëri vetëm 4 vite burg dhe prej vitesh jetonte në emigrim. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lezhës, dhënë më 26 korrik 2010, Lekgjonaj gjendet fajtor për akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Në vendim thuhet se Lekgjonaj akuzohet për dy vepra penale, ndërsa prokurori i shkarkuar tanimë nga vetingu, Agim Dalipi, ka kërkuar dënimin me vetëm 12 vite burg. Pavarësisht dënimit minimal, trupa gjykuese i “fali” edhe rreth dy vite të tjera, duke e dënuar përfundimisht me 10 vite e 6 muaj burg. Në të njëjtën kohë, autori i vrasjes së Gjon Përvathit dhe plagosjes me makinë të djalit të tij, vetëm 14 vjeç në atë kohë, përfitoi edhe gjykim të shkurtuar, duke iu zbritur dënimi me 7 vite. Ndërsa ende nuk dihet se si përfitoi ulje të dënimit edhe të 7 viteve, ajo që dihet tanimë është se autori i vrasjes së babait të katër fëmijëve kreu vetëm 4 vite burg.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat