Ish deputeti i PD: Meta s’do ta përfundojë mandatin!

Shqipëria

Ish deputeti i PD: Meta s’do ta përfundojë mandatin!

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 22:45
Halit Valteri

Brenda 30 ditëve Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë vendimin nëse do të shkarkojë apo jo Ilir Metën nga posti i Presidentit, ndërsa ish-deputeti Halit Valteri thotë me bindje se ai nuk do ta përfundojë mandatin. Valteri tha se Meta ka shkelur Kushtetutën, ndërsa për deklaratat e tij ‘amerikanët do më vrasin te Mali me Gropa’, deputeti u shpreh se Presidenti i bëni pasi kalon normën e alkoolit.

“Meta ka shkelur Kushtetutën duke anuluar një palë zgjedhje dhe e dyta ka dalë nga roli i tij si President, që është mbi palët, duk u bërë pjesë aktive kundër maxhorancës në pushtet dhe duke u bërë palë me partinë e tij familjare dhe opozitën. Pasi kalon atë normën e alkoolit nga dreka del e thotë do më vrasin amerikanët te Mali me Gropa. Nuk ka diskutim që Meta ka shkelur Kushtetutën. Meta nuk është më presidenti i të gjithë shqiptarëve dhe nuk përfaqëson më institucionin për të cilin është votuar. Për mua do të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese.

Në 30 vite po shkojmë drejt vdekjes politikisht dhe kemi po Sali Berishën e Ilir Metën që nuk di se çfarë i ka ngelur më pa i shtrydhur këtij vendi. Meta nuk do ta përfundojë mandatin, do dali prapë te partia e tij në fushatë e do mundohet të marrë një votë më shumë se Luli në çdo bashki. Do jetë i pari President në historinë e Shqipërisë që do shkarkohet”, u shpreh ai.

Në të njëjtin mendim me Valterin ishte edhe Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ibsen Elezi, i cili shtoi se me ndërhyrjen e tij, Meta i bëri më shumë keq sesa mirë opozitës.

“Meta e ka cenuar Kushtetutën për shkak të qëndrimeve të veta. Ka anuluar zgjedhjet e ka caktuar datë pa u konsultuar me partitë. Këto janë dy shkelje. Duke u bërë pjesë e opozitës, Meta e dëmtoi nuk e ndihmoi sepse opinioni publik reagoi kundër”, tha Elezi.

Nga ana tjetër, për anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, Aulon Kalanë, shkarkimi i Metës do t’i sillte më shumë të këqija sesa të mira vendit. Edhe pse pranon se Meta duhet shkarkuar, sipas Kalasë kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm ‘që kur nuk na pëlqen Presidenti, e shkarkojmë’.

“Ka abuzuar me këtë ‘populli i  2 marsit’, ka abuzivitet nga Presidenti që po e përdor se populli nuk është në mëngën e Presidentit. Nëse ai thërret protestë pa kauzë unë nuk shkoj. Unë mendoj se Meta duhet të shkarkohet, por problemi është ai i intereson kjo Shqipërisë dhe precendeti që do krijohet. Metën na e solli Edi Rama. Ishte figurë e dashur në 2017 dhe kur nuk i dihet thotë hajde ta shkarkojmë. Vendosim precedent të rrezikshëm që kur nuk na pëlqen Presidenti, e shkarkojmë. Do na penalizonte më shumë një President i shkarkuar. A e ka kryer detyrën Presidenti? Kur dëgjova që kishte bërë negociata me Berishën për koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë; do të thotë se ai ka qenë dhe është kryetari i LSI dhe po sillet si President”, theksoi Kalaja.

Avokati Idajet Beqiri u shpreh se Gjykata Kushtetuese është para një momenti historik dhe se nëpërmjet vendimit për shkarkimin apo jo të Metës, do të përcaktojë ligjin si duhet rregulluar veprimtaria e Presidentit.

“Një kryetar Shteti nuk e heq dot si të të dojë qejfi. Gjykata Kushtetuese është para një momenti historik, për herë të parë në 110 vite shtet shqiptar i shtrohet kjo pyetje. Nëpërmjet këtij vendimi do përcaktojë ligjin si duhet rregulluar veprimtaria e Presidentit të Republikës dhe çfarë i lejohet e nuk i lejohet të bëjë. Kjo Gjykatë nuk më bind se do të japë një vendim të tillë që çdo President, para se të pranojë detyrën, do lexojë mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Afatin maksimal që ta japë vendimin e arsyetuar është 30 ditë. Meta nuk ka të drejtë t’i drejtohet Strasburgut. Ai është kryetar i Shtetit dhe veprimtaria  e tij është përcaktuar nga Kushtetuta dhe nëse Gjykata Kushtetuese e shkarkon, aty mbyllet cikli”, deklaroi avokati.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat