Zbardhet votimi, Meta siguroi shumicën në Kushtetuese, 6 pro tij dhe 1 kundër

Shqipëria

Zbardhet votimi, Meta siguroi shumicën në Kushtetuese, 6 pro tij dhe 1 kundër

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 09:13
Meta

Zbardhet votimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Meta.

Ky i fundit ka marrë 6 vota pro në favor të tij për të vijuar mandatin deri me 24 korrik 2022 dhe vetëm 1 kundër.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi  të shfuqizojë vendimin e Kuvendit “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Vendimi u mësua përmes një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate në orën 23:15 të 16 shkurtit 2022. Në vendim thuhet se presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën.

"Në lidhje me shkaqet për të cilat Kuvendi ka vendosur shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese, pasi përcaktoi elementet objektive të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës” të parashikuar në nenin 90, pika 2, të Kushtetutës, si dhe vlerësoi kërkesën e nenit 90, pika 3, të Kushtetutës për të vërtetuar fajësinë e Presidentit, arriti në përfundimin se:

1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:
 - Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
 - Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
 - Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
 - Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës." 

Ky vendim vjen ndërsa kryeministri Edi Rama vijon vizitën në Uashington. Madje i pyetur nga gazetarët që e shoqëruan Rama deklaroi: "Është koha që ti lihet Gjykatës Kushtetuese fjala dhe mundësia që të vendosë në vend nderin e nëpërkëmbur të Kushtetutës."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat