VOA: Covid-19, përmirësimi i situatës, Shqipëria heq orën policore

Shqipëria

VOA: Covid-19, përmirësimi i situatës, Shqipëria heq orën policore

Më: 2 mars 2022 Në ora: 20:58
Shqipëri

Në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve, njoftoi të mërkurën heqjen e orës policore, një masë shtrënguese e vendosur që prej fillimit të pandemisë. Për pasojë dhe të gjitha aktivitetitet tregtare të lidhura me këtë kufizim orar, mund të ushtrojnë lirshëm veprimtarinë e tyre. Vendimi, i cili hyn në fuqi nga dita e nesërme, erdhi pas një përmirësimi të ndjeshëm të situatës, me një renie të rasteve të reja që ka vijuar që prej 5 javësh.

Sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini “gjatë javës së fundit mesatarja ditore ka qenë prej 147 rastesh. Incidenca zbriti në nivelet e 36 të prekurve për 100 mijë banorë, ose 40 përqind më pak, ndërsa pozitiviteti ra në 7.9 përqind”.

Përmirësim ka njohur dhe gjendja në spitale. Shefja e shërbimit infektiv në QSUT, Najada Çomo bëri të ditur se “referuar një muaji më pare, kur kemi pasur të shtruar rreth 175 pacientë, sot që flasim, numri i pacientëve është 50 të shtruar në spital. Natyrisht që pjesa më e madhe e tyre pra gati 70% e të shtruarve në spital janë forma të rënda. 10% janë forma të rënda dhe kritike”, shpjegoi zonja Çomo.

Gjatë muajit shkurt, sipas të dhënave zyrtare të pëpunuara nga Zëri i Amerikës, rastet e reja ranë më 76 përqind, duke zbritur në një total prej 11.626 të infektuarish rishtaz, ose një mesatare ditore prej 415 të prekurish. Nga ana tjetër, numri u viktimave po ashtu u ul, por jo me të njejtat ritme. Në total, gjatë gjithë muajit pati 119 humbje jete, ose 11.9 përqind më pak se në janar.

Në raport me shkurtin e vitin 2021, shifrat janë ndjeshëm më të ulta. Rastet e reja janë gati 60 përqind më pak, ndërsa vdekjet, gati 4 herë më të ulta.

E vetmja masë kufizuese në fuqi mbetet mbajtja e maskës në mjedise të mbyllura, e cila për hir të së vërtetës, shpërfillet haptazi kudo, si dhe shfrytëzimi në 30 përqind të kapaciteteteve të strukturave ku zhvillohen aktivitete kulturore, sportive, apo konferenca. Një masë e cila gjithashtu nuk zbatohet.

Autoritetet deklaruan se pavarësisht përmirësimit të situatës, procesi i vaksinimit duhet të vijojë me intensitet, duke rekomanduar që mosha e lejueshme për vaksinat anti-covid të zbresë në +12 vjeç./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat