Transportonin lëndë narkotike, arrestohen 2 shtetas në Lezhë

Shqipëria

Transportonin lëndë narkotike, arrestohen 2 shtetas në Lezhë

Më: 9 mars 2022 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Policia e Shtetit në Shqipëri ka shpërndarë sot pamjet e një operacioni policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve në qarkun e Lezhës.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, pas informacioneve se ata po transportonin lëndë narkotike nga Kruja në drejtim të Fushë Mamurrasit.

Policia ka arrestuar shtetasit R. M., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe D. L., 44 vjeç, banues në Krujë.

Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim shtetasin S. K., 24 vjeç, banues në Krujë.

“Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, në oborrin e banesës së shtetasit R. M., i cili do të blinte lëndën narkotike që e kishin transportuar nga Kruja, shtetasit D. L. dhe S. K. Ky i fundit ka mundur të largohet në momentin e ndërhyrjes së policisë”, ka thënë policia.

“Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë kanabis sativa, 2 automjete, 2 aparate celulare dhe targa automjetesh”, ka shtuar policia.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. M. do ta shiste lëndën narkotike në doza në qarkun e Lezhës, ka sqaruar policia, duke shtuar se nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat