Ngjarja e rëndë në komisariatin e Kamzës, Avokati i Popullit bën thirrje për përmirësim të kushteve të paraburgimit

Shqipëria

Ngjarja e rëndë në komisariatin e Kamzës, Avokati i Popullit bën thirrje për përmirësim të kushteve të paraburgimit

Më: 27 mars 2022 Në ora: 08:53
Foto ilustrim

Zjarri në komisariatin e Kamzës që la pas një viktimë dhe dy të plagosur ka sjellë reagimin e Avokatit të Popullit.

Në një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit u sjell në vëmendje të autoriteteve nevojën e marrjes së masave të menjëhershme dhe energjike për përmirësimin e kushteve pranë njësive policore në përputhje me angazhimet e shtetit shqiptar pranë organizmave ndërkombetarë si dhe në zbatim të akteve ligjore kombëtare e ndërkombëtare.

Në rekomandimin më të fundit të Avokatit të Popullit për Komisariatin nr. 5 të Policisë së Tiranës, i dërguar në qershor 2021, i është mëshuar pikërisht nevojës për plotësimin e kushteve normale në këto ambiente, për parandalimin e ngjarjeve analoge me këtë të mbrëmjes së të shtunës, e cila fatkeqësisht në këtë rast rezultoi fatale.

REAGIMI I PLOTE

AVOKATI I POPULLIT SHPREH PIKËLLIMIN PËR HUMBJEN E JETËS NGA ZJARRI TË NJË TË NDALUARI DHE BËN THIRRJE PËR PËRMIRËSIM TË KUSHTEVE TË PARABURGIMIT

Nga informacionet e marra, mësohet se si pasojë e një zjarri me origjinë të paqartë në Komisariatin nr.5 në Tiranë, kanë pësuar dëmtime shtetasit e ndaluar A. M., D. I., si dhe punonjësi i policisë H. B.

Sikurse është bërë e ditur nga njoftimet zyrtare, shtetasi A. M., i cili ishte person i ndaluar në mjediset e këtij komisariati, ka ndërruar jetë në spital.

Avokati i Popullit u shpreh ngushëllimet familjarëve dhe shërim të shpejtë shtetasve të dëmtuar.

Nisur nga kjo ngjarje Avokati i Popullit, për herë të disatë sjell në vëmendje të autoriteteve nevojën e marrjes së masave të menjëhershme dhe energjike për përmirësimin e kushteve pranë njësive policore në përputhje me angazhimet e shtetit shqiptar pranë organizmave ndërkombetarë si dhe në zbatim të akteve ligjore kombëtare e ndërkombëtare.

Në rekomandimin më tē fundit të Avokatit të Popullit për Komisariatin nr. 5 të Policisë së Tiranës, i dërguar në qershor 2021, i është mëshuar pikërisht nevojës për plotësimin e kushteve normale në këto ambiente, për parandalimin e ngjarjeve analoge me këtë të mbrëmjes së sotme, e cila fatkeqësisht në këtë rast rezultoi fatale.

Më specifikisht Avokati i Popullit ka rekomanduar masa mbi ndërtimin e ambienteve të sigurisë, mjediseve të veçanta për të miturit, pajisjen me orendi bazë, pajisjen me sistem ngrohjeje për stinën e ftohtë, pajisjen me sistemin e sinjalizimit me zile për raste emergjente, pajisjen me sistemin e monitorimit me kamera, si dhe kushte të tjera. Rekomandimi i plotë gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit nënvizon që rekomandimet e përpiluara prej tij drejtuar institucioneve të shtetit shqiptar, nuk kanë qëllim tjetër përveçse përputhjen e standardeve faktike me angazhimet e marra nga shteti shqiptar në raport me grarantimin e të drejtave të njeriut, përfshirë këtu ato të qytetarëve që vuajnë dënime në institucione penitenciare apo janë të ndaluar në njësi policore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat