100 vjet marrëdhënie diplomatike midis Hungarisë dhe Shqipërisë

Shqipëria

100 vjet marrëdhënie diplomatike midis Hungarisë dhe Shqipërisë

Nga: Dr. Musa Ahmeti Më: 29 mars 2022 Në ora: 18:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Edhe pse marrëdhëniet mes hungarezëve dhe shqiptarëve kanë rrënjë të thella historike, marrëdhëniet diplomatike midis Hungarisë dhe Shqipërisë u institucionalizuan në mars të vitit 1922 (I ngarkuar me detyrë) dhe kredencialet e para u dorëzuan më 31 maj 1922. Marrëdhëniet shumëpalëshe që linden nga korniza e krijuar politike midis Shqipërisë dhe Hungarisë gjatë këtyre 100 viteve, kanë treguar që të dyja vendet kanë pasur një vullnet të fortë për të kapërcyer vështirësitë e krijuara nga sfidat globale si Lufta e Dytë Botërore dhe komunizmi dhe kanë mundur të intensifikojnë dialogun e tyre jo vetëm në fushat politike dhe diplomatike, por në të gjitha nivelet, siç evidentoi edhe kjo konferencë e fundit.

Image
Të pranishmit në konferencë

Pas hapjes zyrtare të konferencës me himnet shqiptare dhe hungareze të kënduara me zërin e bukur të sopranos së mirënjohur shqiptare që jeton e vepron në Hungari, znj. Alisa Katroshit, fjalën e mori Dr. Etleva Lala, drejtuese e Programit të Studimeve Shqiptare për të prezantuar studiuesit pjesëmarrësh. Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin ELTE, Prof. Dr. Dávid Bartus, përshëndeti pjesëmarrësit e konferencës duke vënë në dukje disa nga aktivitetet kryesore të programit Albanian Studies në këto 10 vite. Ai theksoi që përveç mësimit të rregullt të gjuhës shqipe, gjuhë kjo që po bëhet gjithmonë e më atraktive për shkak të vëmendjes së shtuar të politikës dhe shoqërisë hungareze ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, programi ka organizuar edhe shumë aktivitete shkencore, si konferenca, workshope, tavolina të rrumbullakëta, prezantime librash dhe ka qenë qendër ku janë ftuar personalitete politike dhe akademike jo vetëm nga Hungaria por edhe nga rajoni. Prof. Dr. Bartus theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij programi dhe të fuqizimit të tij, duke qenë se është i vetmi vend në Hungari, ku shqipja dhe studimet për shqiptarët jepen jo vetëm në nivel akademik por edhe praktik.

E ngarkuara me punë në ambasadën shqiptare në Budapest, a.i. znj. Gentiana Mbarimi që e mori fjalën më pas, pasi theksoi lidhjet historike që ekzistojnë midis hungarezëve dhe shqiptarëve që datojnë shumë kohë përpara vendosjes së marrëdhënieve zyrtare diplomatike, duke përmendur Skënderbeu dhe Hunyadin, albanologët e shquar hungarezë, si Ferenc Nopça, Lajos Thallóczy, Istvan Schutz, Daniel Gjergj etj., të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në fushën e etnografisë, historisë dhe gjuhës shqipe, mbretëreshën Géraldine Apponyi, kontesha hungareze që u bë mbretëresha e shqiptarëve pas martesës me mbretin Zog të Shqipërisë, në vitin 1938, e vuri theksin e saj te marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë në të gjitha fushat. “Të dy vendet tona kanë shfaqur vullnetin për të intensifikuar më tej marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet vizitave në të gjitha nivelet, duke përfshirë vizitat e nivelit të lartë, si një kontribut i rëndësishëm për forcimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor, turistik, etj.” – tha ajo. Gjatë dekadës së fundit, theksoi ajo, janë përfunduar me sukses tre sesione të suksesshme të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë.

Image
Pjesëmarrëse në konferencë

“Vullneti i mirë i dy qeverive, vizitat e nivelit të lartë dhe mjedisi i favorshëm i biznesit kanë bërë që bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë të rritet vazhdimisht. Vitet e fundit në tregun shqiptar kanë hyrë fuqishëm kompanitë e njohura hungareze si WizzAir, OTP Bank, 4iG etj. WizAir tani ka një nga bazat e saj të avionëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe së fundmi ka nisur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit në Shqipëri. Fluturimet direkte Budapest-Tiranë-Budapest kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve hungarezë që vizitojnë Shqipërinë por edhe numrin e turistëve shqiptarë që vizitojnë Budapestin. Ne kemi besim se numri i turistëve do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen. Ndërkohë që turistët hungarezë udhëtojnë drejt Shqipërisë për të shijuar bukuritë e pafundme natyrore të vendit, ata kanë gjithashtu mundësinë të shijojnë pjekjet e shijshme në furrat e shumta shqiptare në Hungari.

Bashkëpunimi nuk mungon as në fushën e arsimit. Si rezultat i një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Hungarisë, në kuadër të programit Stipendium Hungariucum, studentët shqiptarë marrin rreth 20 bursa çdo vit për të studiuar në një nga universitetet hungareze, në të gjitha nivelet. Programi i Studimeve Shqiptare, prej 10 vitesh, këtu në universitetin më të vjetër dhe më të madh hungarez është një tjetër tregues i bashkëpunimit arsimor mes vendeve tona. Falë punës së Dr. Etleva Lala, përmes këtij programi, shumë studentë hungarezë dhe ndërkombëtarë kanë mundësinë të mësojnë për kulturën dhe gjuhën shqipe.

Gjithashtu, Shqipëria i është mirënjohëse Hungarisë për mbështetjen e saj të përhershme dhe të pakushtëzuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga Hungaria ka qenë një hap tjetër drejt forcimit të miqësisë mes shqiptarëve dhe hungarezëve. Nga ana tjetër, Shqipëria ka mbështetur edhe Hungarinë në organizatat ndërkombëtare kur është e nevojshme. Si në ditët e mira ashtu edhe në ato të këqija, Hungaria dhe Shqipëria kanë treguar se qëndrojnë për njëra-tjetrën,” – përfundoi fjalën e saj znj. Mburimi.

i Hungarisë në Shqipëri, Dr. Janosh Husar, tha që në fjalën e tij nuk do të fliste as për Skënderbeun dhe as për Huniadin, as për albanologët hungarezë, të cilët i përmendi një nga një, as për mbretëreshën hungareze në fronin shqiptar, dhe as për ngjarje të tjera shumë të rëndësishme historike mes të dy popujve, por që në fjalën e tij do të përqëndrohej te përvoja personale që kishte pasur gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri si ambasador i Hungarisë atje, si dhe gjatë vizitave të shumta të mëhershme e të mëvonshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në rajon. Ai e vuri theksin te ndryshimin drastik që ka ndodhur në Shqipëri që nga momenti kur ka shkelur atje për herë të parë: në fillim tha ai, Tirana i ishte dukur si një vend i pazhvilluar i Lindjes së Mesme, ndërkohë që tani nuk ka asnjë ndryshim nga metropolet Evropiane. Në përvojën personale Dr. Husar u përqëndrua te misioni i tij diplomatik, që më shumë konsistonte në krijimin e lidhjeve dhe të aleancave midis elitave të Shqipërisë me ato të Kosovës, për stabilitet dhe zhvillim në rajon. Në këtë kontekst ai përmendi takimet me presidentin e ndjerë Rugova në barrakën e tij të preferuar prej druri si dhe takimet me shumë personalitete të politikës e të letërsisë e kulturës si në Kosovë ashtu edhe në Tiranë.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Hungari, Shkëlqesia e Saj, znj. Gjeneza Budima, u përqëndrua te rëndësia e përkrahjes që Hungaria i ka dhënë Republikës së Kosovës, jo vetëm me anë të njohjes së pavarësisë së saj, por edhe me anë të sigurisë që ajo ofron me anë të trupave ushtarake pjesë të NATO-s. Duke falenderuar drejtuesen e programit të Studimeve Shqiptare në Hungari, dr. Etleva Lalën, Shkëlqesia e saj, gjeti edhe një herë momentin për të theksuar rëndësinë e këtij programi për studimin e gjuhës shqipe dhe të historisë e kulturës së shqiptarëve në rajon, si qendra e vetme me një karakter të tillë në të gjithë Hungarinë.

Historiani Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Tiranës gjithashtu përshëndeti të pranishmit në ceremoninë e hapjes së konferencës, duke theksuar në mënyrë të veçantë rëndësinë e marrëdhënieve hungaro-shqiptare për të dy kombet tona si dhe dhe të programit Albanian Studies në promovimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve që po intensifikohen çdo ditë e më shumë.

Pas hapjes zyrtare, pjesëmarrësit u ftuan të merrnin një kopje të librit të botuar nga Instituti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë (IFAT), dhe të librit të konsullit të nderit të Shqipërisë në Peç, z. Avni Hafuzi, si dhe periodikut Unionit të Bashkuar për Paqe të sjellë nga presidenti i kësaj shoqërie, z. Tibor Krebsz. Në vend të fjalës, përshëndetëse, Konsulli i Nderit, z. Hafuzi kishte zgjedhur të fliste me vepra, jo vetëm duke sjellë librin e tij falas për pjesëmarrësit, por edhe duke ofruar kafetë dhe ëmbëlsirat për të gjithë të pranishmit.

Sesioni i parë i konferencës i filloi punimet në një bibliotekë të bukur të stilit secesio, bibliotekë kjo e Departamentit të Historisë së Evropës Lindore dhe Qendrore, dhe i pari që e mori fjalën ishte studiuesit i mirënjohur hungarez, Dr. Krisztian Csaplar Degovics, studiues i Akademisë së Shkencave të Hungarisë. Dr. Degovics i cili merret prej vitesh me historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Evropën Juglindore, duke krijuar një emër lideri të studimeve historike në këtë fushë jo vetëm në Hungari e rajon por edhe më gjerë. Ai foli për rolin që Austro-Hungaria ka luajtur në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për t’u bërë një komb duke theksuar që kjo gjë është bërë në mënyrë të qëllimshme nga monarkia austro-hungareze dhe më vonë nga Hungaria gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX.

Fjala e dr. Dorian Koçit, u përqëndrua te marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Hungarisë në vitet 1928-1939, duke identifikuar dhe vënë në pah të gjitha elementet shtetformuese të ndjekura gjatë kësoj kohe dhe duke në dhënë një panoramë sa komplekse aq edhe të qartë të të gjitha elementeve të zhvillimit të një shteti të ri, në një periudhë të vështirë për gjithë Evropën. E tërë fjala e historianit Koçi ishte e mbështetur në studimet themlbësore nga burimet arkivore dhe literatura e specializuar e botuar kohëve të fundit.

Dr. Laszlo Markus, ish-ambasador i Republikës së Hungarisë në Kosovë e përqëndroi fjalën e tij në tre aspekte të politikës së jashtme hungareze, ndërsa shpalosi temën e tij për këndvështrimin hungareze të pavarësisë së Kosovës: 1. Kriza në rajon dhe përpjekjet e Hungarisë së interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon për të lehtësuar pasojat e kësaj krize. 2. Pakicat kombëtare dhe mbrojtja e të drejtave të këtyre minoriteteve kudo që ato ndodhen, duke qenë se edhe vetë hungarezët janë në shumë shtete minoritete. 3. Njohja e pavarësisë së Kosovës me shumë mençuri për të mos dëmtuar ekuilibrat as brenda Hungarisë dhe as me vendet e rajonit. Dr. Markus përshkroi vështirësitë dhe sfidat që Hungaria ka hasur në realizimin e këtyre pikave gjatë 30 viteve të fundit. Dr. Markus është tashmë senior researcher në Institutin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë.

Në sesionin e dytë folën Dr. Edmond Malaj, studiues i Akademisë së Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe doktorantja Lilla Menyhárt. Dr. Malaj në kumtesën e tij të titulluar “Marrëdhëniet kulturore dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Hungarisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudha e komunizmit” u përqëndrua kryesisht te marrëdhëniet kulturore dhe foli për një temë pak të rrahur deri më sot, që konkretisht ka të bëjë me studentët dhe studiuesit shqiptarë që kanë kryer studimet në Hungari apo në një mënyrë a një tjetër kanë qenë të lidhur me Hungarinë dhe kanë jetuar në Shqipëri. Peripecitë e këtyre studiuesve janë pak të njohura deri më sot. Doktorantja Lilla Menyhárt foli gjerë e gjatë për familjen mbretërore Zogu, ndikimin e tyre në organizimin politik dhe social të Shqipërisë, lëvizjet e familjes mbretërore dhe për karakterin e nënës Mbretëreshë, Geraldinës. Edhe pse e gjatë, kumtesa e saj u ndoq me shumë interes nga audienca e specializuar dhe ashtu si kumtesat e tjera u pasuan nga shumë pyetje ndërtuese dhe suportuese.

Në sesionin online studiuesi i Institutit të Historisë në Tiranë, Dr. Gjon Boriçi, foli për revolucionin anti-komunist hungarez të vitit 1956 dhe efektet e tij në Shqipëri si dhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve komuniste gjatë viteve ’50 të shek. XX. Përveç shumë çësthtjeve interesante të prezantuara nga Dr. Boriçi, argumenti i tij që Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka marrë fonde shumë të mëdha por i ka keqmenaxhuar ato duke i investuar në industrinë e rëndë, i bënë të gjithë të pranishmit të mendojnë thellë për pasojat e një eksperience të tillë të udhëheqjes shqiptare.

Dr. Ines Murzaku, profesoreshë e religjionit dhe drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall dha në një panoramë të gjërë të revolucionit të butësisë së Nënë Terezës, duke e vënë atë në kontekstin e grave ballkanike që ishin ushqyeset kryesore të këtij revolucioni të Nënë Terezës. Është pikërisht ky ambient dhe ky ushqim shpirtëror me të cilin Nënë Tereza është rritur që e vogël, ato që e bënë Nënë Terezën ajo që është për të gjithë botën. Dr. Ines Murzaku konsiderohet si njohësja më e mirë në botë e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, ndoshta edhe për faktin që ajo është jo vetëm shqiptare dhe njeh me themel traditën shqiptare, por edhe sepse është marrë që herët me format e religjionit në këto pjesë të botës.

Studiuesi dhe restauratori i famshëm shqiptar, Prof. Dr. Frederik Stamati, si dhe kryeditori i gazetë më të vjetër shqiptare në Amerikë, Dielli, Dr. Sokol Paja nuk mundën të prezantonin kumtesat e tyre edhe pse i kishin dërguar tashmë në këshillin drejtues të konferencës. Prof. Dr. Stamati përshkruante eksperiencën e tij personale me laboratorët dhe restauratorët hungarezë dhe ndikimin që këto kishin pasur në formimin e tij si restaurator. Bashkëpunimin me studiuesit më të mirë Prof. Dr. Stamati e përshkruan në këtë mënyrë: “Kursi ishte i një niveli shkencor shumë të lartë. Njohuritë e marra dhe literatura që na u dhurua, u bënë baza kryesore ku u bazua puna për konservimin e tekstileve me vlera kulturore dhe historike në Shqipëri. Kurioziteti për problemet teknike të punës bëri që të bisedoja për epitafin e Glavinicës. Marta Jaro mori përsipër të kryente analizat kimike te fillit metalik të përdorura për qëndisjen e atij epitafi. U përdorën metodat e studimit me anë të analizave jodestruktive te bazuara në fizikën bërthamore. Me ato analiza u hap një dritare tjetër e konceptimit të mardhënieve tregtare të vendit tonë në shek XIV. Më vonë ne e ftuam Dr. Marta Jaro për një vizitë pune në Shqipëri, ku u njoh konkretisht edhe me epitafin.”

Dr. Sokol Paja ka bërë hulumtime në Gazetën Dielli për të parë se si paraqitet martesa e mbretit Zog me princeshën hungareze Geraldinë Apponyi në këtë gazetë dhe rezultatet janë shumë interesante: Gazeta Dielli në shkrimet Editoriale, Mbretëreshën Geraldinë e përshkruan teksa fitoi menjëherë zemrën e popullit shqiptar dhe e cilëson si : “Perëndeshë të dërguar prej qiellit”. Gazeta përshkruan me detaje ardhjen e Mretëreshës Geraldinë në Shqipëri teksa raporton: “Posa shkeli në tokën shqiptare, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë u interesua më parë për të varfërit e vendit edhe për ngritjen e një Strehe për pleq”. Gazeta Dielli përshkruan e përpiqet të skicojë edhe personalitetin fizik e shpirtëror të Mbretëreshës teksa kujdeset për detajet: “Veç bukurive të dhurua prej natyrës, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë ka edhe bukuritë e mëndjes, të karakterit, të virtyteve të larta, dhe është shumë zemërbardhë dhe shpirtmirë”. Gazeta Dielli e quan bashkimin në martesë të Mretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë si fatbardhësi për Shqipërinë e shqiptarët. Është fat, shkruan gazeta Dielli, që Shqipëria drejtohet nga “Dy Sovranë të mençur edhe shumë shpirtmirë që e vështrojnë popullin e tyre me syrin e zemrës dhe jemi më shumë se të sigurtë që kombi shqiptar do të vejë mbarë nën udhëheqjen e Madhështive të tyre” thuhet në editorialin e gazetës Dielli të muajit maj 1938.”

Diskutimi i nivelit të ekspertëve që vijoi të premten në mëngjes e organizuar nga Instituti i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë (IFAT) dhe u drejtua nga Ferenc Nemeth, studiues dhe koordinator i këtij instituti, solli në një tavolinë Alba Çelën, drejtoreshë ekzekutive të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Eralda Methasani Çanin, profesor i të Drejtës Publike në Departamentin e Shkollës Juridike në Universitetin e Tiranës, dhe Gellert Horvath, ekspert të BE në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për të diskutuar jo vetëm situatën aktuale të Shqipërisë në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, sukseset dhe mos-sukseset e deritanishme si dhe sfidat për të ardhmen. Të gjithë ishin dakord që është koha kur kërkohet më shumë se kurrë që Shqipëria të dalë me një vizion të qartë për të ardhmen, jo vetëm për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, por edhe për ta bërë Shqipërinë atraktive për thithjen e fondeve të kompanive evropiane si dhe të kapitalit njerëzor të humbur në këto vitet e fundit.

Në sesionin e fundit, Dr. Musa Ahmeti, studiues pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Budapest prezantoi një pjesë nga projekti i tij për marrëdhëniet diplomatike midis Hungarisë dhe Shqipërisë në kontekst historik, duke sjellë në vemendjen e auditorit jo vetëm listat e ambasadorëve dhe të ngarkuarve me punë në këta 100 vite, por edhe rolin e programit Albanian Studies në këto marrëdhënie, me një focus të veçantë aktivitetet e këtij programi në 10 vitet e e jetës së tij.

Dr. Etleva Lala, drejtuese e programit Albanian Studies dhe lektore në Universitetin ELTE, prezantoi projektin më të ri të këtij programi që ka të bëjë me ikonën e Albanologjisë në gjysmën e dytë të shekullit XX në Hungari, Ishtvan Shyc. Pikat kryesore të këtij projekti janë

Shyci si mësimdhënës i hungarishtes te studentët shqiptarë dhe ndikimi i tij.

Shyci si mësimdhënës i shqipes te hungarezët dhe metoda e tij e mësimdhënies.

Fjalori/ fjalorët e Shycit si burim i dorës së parë për studimin e gjuhës shqipe

Përkthimet e Shycit dhe të kohës së tij nga hungarishtja në shqip dhe anasjelltas.

Jeta e një përkthyesi në mes dy sistemesh: jeta private, familja, problemet financiare, miqtë, armiqtë.

Shyci dhe gjuhët e tjera që ai studionte dhe jepte mësim.

Projekti u prezantua në vend të konkluzionit, dhe si ftesë e hapur për të gjithë të pranishmit por jo vetëm, për të marrë pjesë në këtë projekt sa të madh aq edhe domethënës. Nëpërmjet një personaliteti kaq të rëndësishëm për shqipen në Hungarinë e gjysmës së dytë të shek. XX synohet që jo vetëm të hidhet dritë mbi marrëdhëniet dypalëshë të asaj periudhe, por edhe të evidentohet çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e individit me sistemin/ sistemet. Pas Pas Shycit, në vitet ’90 të shek. XX, studimet e shqiptarëve dominohen kryesisht nga studiuesi József Juhász dhe duke filluar nga vitet 2010, numri i studiuesve hungarezë ëqë merren me Shqipërinë dhe shqiptarët rritet në mënyrë të ndjeshme, por që rolin udhëheqës e mban Krisztian Csaplar Degovics, duke i bërë këto studime të aksesueshme jo vetëm në gjuhën hungareze, por edhe në atë angleze dhe gjermane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat