“U ngatërrua me Sabianin”, si e shpëtoi dy herë “look-u” i ri Nuredin Dumanin, u kaloi para syve agjentëve të Operacionales

Shqipëria

“U ngatërrua me Sabianin”, si e shpëtoi dy herë “look-u” i ri Nuredin Dumanin, u kaloi para syve agjentëve të Operacionales

Më: 1 prill 2022 Në ora: 09:13
Nuredin Dumani

Flokë të gjata kaçurrel, me mjekër te prerë me formë. Duket se ky ishte “look-u” i ri që kishte zgjedhur Nuredin Dumani një nga më të kërkuarit e policisë, për t’i shpëtuar Drejtësisë.

Burime ekskluzive për ABC, bëjnë të ditur se disa kohë më parë, Nuredin Dumani u ka shpëtuar në dy raste agjentëve të krimit. Policia posedonte një foto të vjetër të Nuredin Dumanit e dal nga sistemi TIMS, por në fakt ngjashmëria mes fotos që policia posedonte dhe pamjes aktuale të Nuredin Dumanit ishte krejtësisht ndryshe.

Të njëjtat burime konfirmojnë për ABC se madje Nuredin Dumani ka kaluar para syve të agjentëve të Operacionales në një aksion të nisur për kapjen e tij, por nuk është njohur. Aksioni ka nisur pas informacioneve të marra në rrugë operative nga ana a e policisë, për vendndodhjen e saktë të Nuredin Dumanit. Por pavarësisht kësaj ai nuk mundi të arrestohej.

Bashkë me Nuredin Dumanin në pranga kanë rënë edhe 5 persona të tjerë. Dumani edhe pse në kërkim për të paktën 7 ngjarje kriminale ka mundur të lëvizte i lirë në Shqipëri. Mes të arrestuarve me Dumanin, janë 2 mjekët, Julian Malaj, Bledi Bërdalli dhe ndihmës mjeku Ermal Gjeci. Ata janë punonjës të spitalit të Fierit dhe u arrestuan me urdhër të policisë së Elbasanit. Këta persona dyshohet se kanë mjekuar 35-vjeçarin Nuredin Dumanin në shtëpi dhe nuk e kanë kallëzuar ngjarjen.

Në pranga ka rënë 20-vjeçarja e dashur e Nuredin Dumanit e cila akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ndërkohë i arrestuar është edhe Henrik Hoxha, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nuredin Dumani mbeti i plagosur të martën pas një atentati me armë në Papër të Elbasanit. Policia e arrestoi atë disa orë më pas në një apartament në lagjen Apollonia të Fierit, të cilën kishte pak kohë që e kishte marrë me qira. Nuredin Dumani ishte një nga më të kërkuarit e policisë, pasi konsiderohet si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale dhe vrasje të ndodhura vitet e fundit. Ai konsiderohet edhe si rival i Talo Çelës, një tjetër i shumëkërkuar nga policia shqiptare, i cili vijon të jetë ende në arrati. Vrasësi serial u ka shpëtuar mbi 20 atentateve, ndërsa ditën kur ndodhi shkëmbimi me armë në Papër dyshohet se i është zënë pritë nga rivali i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat