Raporti i “Patriotit”, tetor ’70: Myrtezai është shoku më i ngushtë i Kapllan Resulit, ai është në dijeni se ky do arratiset në Jugosllavi dhe e ka porositur…

Shqipëria

Raporti i “Patriotit”, tetor ’70: Myrtezai është shoku më i ngushtë i Kapllan Resulit, ai është në dijeni se ky do arratiset në Jugosllavi dhe e ka porositur…

Më: 10 maj 2022 Në ora: 07:50
Foto ilustrim

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.  

Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.

Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020.

E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë.

Dokumenti tepër sekret me informacionin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Leko Gurmi, me të dhënat e ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Guximtari”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit dhe personave që ai takonte

      TEPËR SEKRET                                                                                Marrë P.Op. Leko Gurmi

 Lushnje në 8.9.1969                                                                          Dhënë ish B.p. “Guximtari”

                                                        INFORMACION

NXJERRË NGA DENONCIMI I B.P.”GUXIMTARI”.

Nga data 23.7.1969, deri në datën 30.7.1969, isha në plazhin e Golemit në Kavajë së bashku me Kapllan Resulin. Atje, Kapllanit i erdhi disa herë me radhë i quajturi Myrteza Bajraktari, i cili është martuar në Tiranë dhe është emigrant jugosllav.

Kam konstatuar gjatë atyre ditëve se, Myrteza Bajraktari është shoku më i ngushtë i Kapllan Resulit. Kapllani nga Myrtezai merr njoftime (që i interesojnë atij) dhe këto janë të vazhdueshme. Në plazhin e Golemit Kapllani, i dorëzoi çadrën e tij Myrtezait pa asnjë interes. Po meqenëse Myrtezai, u rregullua në një kabinë atë, nuk e vuri në përdorim.

Më vonë çadrën Kapllani, ja dha të afërmit të gruas së Myrteza Bajraktarit, të quajtur Rexhep Draçini nga Shkodra, një familje armike që banon në Tiranë. Po në Golem ishte dhe një kosovar tjetër, që punon arsimtar dhe banon në Tiranë afër stadiumit “Dinamo” dhe që quhet Isa Boletini.

Gjatë bisedave Isai, thotë se është nipi i patriotit të madh po me këtë emër. Kapllani pasi qëndroi dy ditë me Isain, më tha: Ky Isai, qenka i pakënaqur me pushtetin popullor pasi, nxori disa pretekste sikur, i’u mohoheshin meritat gjyshit të tij, sikur ato i’u atribuoheshin Bajram Currit, etj.

Një ditë më tha Kapllani, që Isai i kishte treguar një shembull që, xhamadanin e shpuar nga plumbat të patriotit Isa Boletini, e kishin çmuar më pak në jubileun e 50 vjetorit të Pavarësisë në Vlorë.

Më shumë kishin çmuar një çarçaf ku kishte fjetur Bajram Curri dhe e kishin vlerësuar 15.000 lekë. Atëherë unë e tërhoqa xhamadanin dhe sot e ruaj në shtëpinë time. Kapllani, ka shoqëri dhe me kosovarin, Sherif Shala, që banon në Kavajë dhe punon në agjencinë e transportit.

Sherifi, ndihmoi Kapllanin, duke i dhënë makinën për transportin e plaçkave nga Golemi në Lushnje, pa asnjë lek. Shok i Isa Boletinit, përveç Kapllan Resulit, është edhe Myrteza Bajraktari.

SQARIM:

Personi që denoncon, i janë dhënë detyra të përgjithshme, sepse akoma nuk është sqaruar pozita e tij.

MASAT AGJENTURORE OPERATIVE:

Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës, të sqarojë nëse vërtet emigranti ka qenë me pushime në plazhin e Golemit në Kavajë.

Isa Boletini, sipas adresës që bëhet fjalë në këtë informacion, të verifikohet po nga Drejtoria e Punëve të Brendshme, se çfarë personi është, pasi na intereson si lidhje e objektit tonë, dhe për këtë të njoftohemi.

Raporti, të shtypet në dy kopje. Një kopje të vendoset në dosjen formulare të Kapllan Resulit, dhe kopja tjetër ti dërgohet Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, për të vlerësuar këtë material.

                                    Puntori Operativ

                                       Leko Gurmi

Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Ropi Postoli dhe shefi i Seksionit të V-të, Bajram Doçi, lidhur me emigrantin jugosllav, Myrteza Bajraktari

Tiranë më 27.8.1970                                                                                SEKRET

                                                   Relacion mbi Myrteza Bajraktarin

Myrteza Bajraktari ka qenë student kosovar në Fakultetin e Histori Filologjisë, në degën Histori Gjeografi. Këtë vit mbaroi studimet dhe u emërua me punë si arsimtar në rrethin e Beratit.

Në vitin 1968 është ulur nga kategoria 2/A, në 2/B, pasi nga përpunimi agjenturor që i ishte bërë, nuk u vërtetua dërgimi i tij në Shqipëri nga UDB-ja.

Por doli se ai ka pasur pakënaqësira që i ka shprehur në formën e agjitacionit dhe propagandës. Megjithatë dyshimet ngelën përsëri se ai mund të jetë dërguar me detyra nga Zbulimi Jugosllav.

Gjatë kohës që ka vazhduar studimet e larta në U.SH.T. ndaj tij nuk ka dalë ndonjë gjë e rëndësishme. Në drejtim të tij, janë aktivizua B.p. “Patrioti” dhe “Bistrica” që të dy kosovarë dhe studentë të një fakulteti por edhe këta, nuk kanë dhënë gjë për të.

B.p. “Bistrica”, e vlerëson si njeri të mbyllur dhe serioz. Por duhet theksuar se edhe këta bashkëpunëtorë, nuk kanë qenë në rrethin e tij të ngushtë shoqëror.

Myrtezai gjatë kohës së universitetit, është shoqëruar kryesisht me Selim Kelmendin, i cili është në 2/B. Në kohën që është bërë demaskimi i studentit Kosovar, Nezir Visha, për veprimtari armiqësore, Myrtezai ka diskutuar në mbledhje, duke demaskuar pikëpamjet e Nezirit si dhe të revizionizmit jugosllav dhe atij kosovar.

Shtojmë se Myrtezai, është martuar me një vajzë në Tiranë të quajtur Kimete Berisha, që punon në orkestrën e Radio-Tiranës. Për Kimeten nuk ka ndonjë material. Kemi mendimin që i lartpërmenduri, duhet të mbahet në kontroll 2/B.

 Shefi i Seksionit të V-të                                                            Puntori Operativ

Bajram Doçi                                                                                 Ropi Postoli

Dokumenti sekret me ekstraktin i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Leko Gurmi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Patrioti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e emigrantit jugosllav, Myrteza Bajraktari 

                                                                E K S T R A K T

        SEKRET                                                                                      Marrë nga P.Op. Leko Gurmi

Lushnje në 3.10.1970                                                                      Dhënë nga B.p. “Patrioti”

                                                    Raport i datës 3.10.1970

Në takimin që pati burimi në orën 16.15 të datës 1.10.1970, me Kapllanin, ky i fundit i tha : “Në Tiranë takova Myrteza Bajraktarin dhe Adem Istrefin dhe meta bisedova. Myrtezai dhe Ademi, janë të flakët për çështjen e Kosovës. Por ata, pajtohen me disa çështje të PPSH-së dhe nuk luftojnë kështu si neve.

                            “Patrioti”

Shënim: E dhëna, u nxor nga dosja formulare e Kapllan Resulit, tekstualisht me origjinalin.

Tiranë më 10.11.1970

                                      Puntori Operativ

                                          Veip Proda

Dokumenti sekret me ekstraktin i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Leko Gurmi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Patrioti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e emigrantit jugosllav, Myrteza Bajraktari 

SEKRET                                                                           Marrë mga P.Op. Leko Gurmi

Lushnje më 2.11.1970                                                     Dhënë nga agjenti “Patrioti”

   Nr. 1004

                                                   Raport në datën 2.11.1970

Burimi njofton se në datën 31.10.1970 u takua me Kapllan Resulin në kafe “Myzeqeja”. Mbasi qëndruam pak minuta, u çuam dhe shëtitëm deri në afërsi të shkollës “4 Dëshmorët” dhe u kthyem përsëri, duke shëtitur në rrugën kryesore të Lushnjes.

Gjatë bisedave ndër të tjera, Kapllani më tha: “Dërgimi im në Divjakë, kam përshtypjen se është kurdisur nga organet e Punëve të Brendshme. Dhe kjo për faktin se unë nuk jam dërguar asnjëherë për të analizuar probleme të tilla në kooperativë dhe përse këta konkretisht më dërguan mua!

Po kështu kjo, koincidoi dhe me takimin që bëra me Haki Ketën me të cilin, bisedova për probleme personale. Afrimi i këtyre më ka trembur shumë dhe më lë të dyshoj. Këta, më dërguan në Divjakë, që unë të mos kontaktoj me kosovarët që vijnë në Kosova.

Hakiu, më tha që të mos largohem nga Lushnja pasi, do të kontaktoj me një kosovar. Kapllani më tha që ju, nuk duhet të largoheni nga mua këto ditë pasi, po pres atë personin që të vijë. Edhe ardhja e tij për t’u takuar me mua, është e dyshimtë.

Mos vallë dhe ky, është dërguar nga këta që të zbulojë qëllimet e mia?! Por unë këtë gjë do ta zbuloj. Në këtë kohë Kapllani, pëshpëriti: “Ah, sa të kalojnë këto 7-8 muaj dhe ne, do të arratisemi”.

Po në datën 31.10.1970, ora 17, burimi i shkoi Kapllanit në shtëpi dhe hapi bisedën e thasëve, duke i thënë që t’i gjente sepse, do t’i bënin qese të vogla për vendosjen e materialeve.

Po në këtë datë Kapllani, duke bërë shëtitje jashtë më tha: “Myrteza Bajraktari ka dijeni që unë do të arratisem në Jugosllavi.

Myrtezai, është ashtu siç të kam thënë, edhe me ne edhe me këta. Por ai më ka këshilluar, që të kem kujdes dhe të mos bie në kurth gjatë arratisjes, dhe të vritem nga këta. Po kalove kufirin, më tha ai, shpëtove”.

                                          “Patrioti”

Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Leko Gurmi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Patrioti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e emigrantit jugosllav, Myrteza Bajraktari 

                                                       RAPORT ME DATËN 7/XI/1970

Më datën 5/XI/1970, Vera Resuli, erdhi në shtëpinë e burimit rreth orës 19.45 minuta. Burimi e priti mirë atë në shtëpi dhe me fjalë të ngrohta. Vera menjëherë e hapi bisedën dhe tha: Sot (me datën 5/XI/1970), bashkë me Afiz Kadrin mora në telefon Faslli Halitin (Ramadanin) në Tiranë dhe biseduam.

Faslliu në telefon më tha se për Kapllanin, kam marrë vesh diçka, ti mos u mërzit dhe kij kujdes. Më datën 6/XI/1970, tha Vera, unë do të shkoj në Tiranë dhe do takoj Faslli Halitin dhe Myrteza Bajraktarin dhe do t’i pyes se çfarë dinë ata për punën e Kapllanit.

Vera u largua nga shtëpia e burimit.

Më datën 6/XI/1970, rreth orës 19 e 40 minuta, në afërsi të rrugës që vjen nga treni, burimi takoi Verën. Vera i tha burimit: isha në Tiranë dhe u ktheva tani, takova Faslli Halitin, mbasi bisedova me Faslliun, Faslliu shkoj e takoj Myrteza Bajraktarin dhe ardhi përsëri në shtëpi dhe më tha: Neve me Myrtezain, biseduam dhe dyshojmë se Kapllani duhet të jetë arrestuar nga këta të Sigurimit.

Mbas këtyre fjalëve, Vera i tha burimit: juve të vini në shtëpinë time se Kapllani ka një revole dhe ta marrish. Burimi i shkoj deri afër shtëpisë, por pa një oficer të Degës dhe u largua përsëri dhe priti që Vera t’ja çonte vetë burimit në shtëpi revolen, se ajo tha se: po nuk erdhe ti, do ta bie unë sonte. Burimi e priti, por Vera nuk erdhi./ Marrë nga Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat