Të bashkohemi sot në opozitë të fortë, për të kthyer besimin si forcë qeverisëse nesër në pushtet

Shqipëria

Të bashkohemi sot në opozitë të fortë, për të kthyer besimin si forcë qeverisëse nesër në pushtet

Nga: Martin Dedaj Më: 24 maj 2022 Në ora: 08:56
Albert Melyshi

Përfaqësues i gjeneratës së re në politikë dhe i shtresës së të përndjekurve politike, me formim profesional dhe intelektual të admirueshëm, që i kalon nivelet lokale, me një ngjitje politike graduale, që nga anëtar i thjeshtë i PD dhe forumit rinor të saj, drejtues seksioni dhe grup seksioni, zëvëndës kryetar dege, i votuar masivisht nga demokratët mirditas, në zgjedhjet e zhvilluara nga Grupi i Rithemelimit të PD, më 25.04.2022, Albert Melyshi, vjen në krye të PD Mirditë, me ndjesinë e përgjegjësisë e besimit që i kanë dhënë, si dhe me vizion të qartë, për atë çfarë duhet bërë për rikthimin e besimit nga elektorati tek PD, si alternativë besimi dhe qeverisje në nivel lokal dhe qëndror, teksa thekson ndër të tjera se në këto momente, “Partisë Demokratike i duhet një reformim i thellë, duke afruar të rinj e të reja e të mirëshkolluar, që e duan Mirditën dhe Shqipërinë.

Kjo forcë politike duhet të jetë e anëtarëve të saj, e mirditorëve dhe shqipëtarëve, që nëpërmjet politikës si mjet demokratik duan të japin shembullin dhe modelin e tyre, që mund të qeveriset më mirë, më drejt dhe me më shumë përkushtim. Ndërthurja e brezave, afrimi i të rinjëve dhe kthimi i partisë në shinat e demokracisë së brendshme është domosdoshmëri. Demokratët dhe Mirditorët kërkojnë një Parti Demokratike konkuruese, me njerëz me vlera dhe të pakorruptueshëm të cilët, nuk mbrojnë interesat e tyre e nuk bashkëpunojnë me të keqen. Njerëz që japin shpresë për Mirditën dhe të ardhmen me një vizion që të orientohet me projekte e programe reale në interes të qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.

E kjo arrihet duke qenë të bashkuar në këto momente për ta ndryshuar PD në Mirditë. Me bindjen që PD Mirditë do të kthehet gradualisht në shinat e demokracisë, përfaqësimit dinjitoz dhe opozitarizmit të fortë lokal e qendror, besimin që më keni dhënë e konsideroj përgjegjësi dhe obligim për ta përmbushur me sukses, duke bashkëpunuar me seicilin prej jush, do arrijmë të dalim forcë serioze dhe konkuruese dinjitoze për qytetarët e Mirditës. Të gjithë së bashku të ndërtojmë një opozitë serioze sot, për të qenë dinjitoz në qeverisje nesër”, janë shkurtimisht vizioni dhe mesazhi i z. Melyshi, që në mërnyrë më të detajuar i shpalos intervista e mëposhtme.

Duke ju uruar suksese, çfarë emocionesh ndjeni dhe si e perceptoni fitoren?...

Ju falenderoj për urimin. Emocionet janë pjesë e pandarë e çdo gare, aq më tepër për një detyrë kaq me përgjegjësi. Tani më emocionet nuk kanë vend, sepse përgjegjësia që ndjej para demokratëve, që më kanë besuar të jem përfaqësues i tyre eshtë e madhe dhe nuk i lë vend ndjesive momentale, por duhet angazhim dhe seriozitet në këtë mision. Gjatë ditëve që po takoja demokrarët, teksa shpalosja idetë e mia për drejtimin e PD në Mirditë, duke e njohur mirë gjendjen në të cilen ndodhemi, më bënë të mos mendoj fitoren si finalizim të këtij rrugëtimi por kërkimin e zgjidhjeve të mundshme të cilat do të bëjnë të mundur që të ringrihet besimi, që PD do të kthehet në forcë dhe shpresë për qytetarët.

Ishte një garë e fortë brenda llojit, madje përballë patët dy kandidatura me eksperiencë të gjatë në jetën politike, cili ishte avantazhi apo çelësi i fitores tuaj?

Mendoj se kisha disa avantazhe. Dëshira e vetë antarëve të PD për të ndryshuar elitën drejtuese të 30 viteve. Kisha një kërkesë të madhe nga vetë antarët, që të kandidoja gjë që i nxiste më shumë për të më ndihmuar me pastërti dhe pa asnjë kompromis. Shumë antarë më kanë parë edhe si urë bashkimi të faktorëve lokal. Familjet e ish të përndjekurve politik, prej nga vjen dhe familja ime, që përbëjnë një pjesë të madhe të anëtarësisë së PD, më kanë ndihmuar e mbështetur. Koncepti dhe ideja e anëtarësisë që të rinj me vizion dhe ide të reja, të ndryshme nga e shkuara ka qënë prej vitesh togfjalshi i tyre më i përsëritur në takime brenda PD. Kanë qënë pikërisht parime të PD-së, historiku i familjes prej nga unë vij dhe dëshira e madhe të cilën do të preferoja ta konsideroja mision që është një e ardhme sa më e ndritur për vendin tim, që më kanë bërë të punoj fort, për të qënë një zë i dëgjuar e përfaqësues për ta.

Si përfaqësues i gjeneratës së re në politikë, cili do të ishte mesazhi që ju do të përcillni për Mirditën e mirditasit dhe jo vetëm?

Para shumë vitesh si qytetar dhe antar i thjeshtë i PD, shikoja nevojën ulëritëse të Mirditës dhe Shqipërisë për njerëz që e duan vendin, për njerëz që duan të punojnë për vendin, për të rinj të pandikuar politikisht, që tu shërbenin qytetarëve me devotshmëri, për njerëz me moral të lartë politik. Të flasësh sot me të rinjtë (pa dashur ti përgjithësoj) për këto tema do të të konsiderojnë sikur jeton në ndonjë vend të izoluar dhe s’ke njohje mbi zhvillimin kulturor dhe politik. Fatkeqësisht kjo situatë vazhdon prej një kohe të gjatë dhe nëse nuk ndërhyjmë do të thellohet më keq. Ky model negativ i ka penguar të rinjtë të përfshihen në politikë duke përhapur një frymë mosbesuese dhe distancuese. Nëse unë nuk bëhem pjesë e politikës, apo nëse shumë të rinj nuk hyjnë në politikë, pikërisht se politika është katandisur në këtë gjëndje, do të thotë që e përqafojmë këtë frymë dhe nuk duam ndryshim të saj. Prandaj jam në politikë dhe ashtu si unë edhe shumë të rinjë por jo vetëm, të gjithë ata që e ndjejnë që vendi meriton një ndryshim rrënjësor. Në këtë mënyrë do të arrihet jo vetëm ndryshimi i këtij modeli politik, por përmirësimi i shërbimeve, shtimi i besimit të qytetarëve, rritja e investimeve dhe besimi i investitorëve. Pra është pikërisht cilësia dhe morali politik që i prish këto zinxhir që kanë denigruar politikën dhe ekonominë. Ju bëj thirrje të gjithëve, të rinjve, intelektualëve që e duan Shqipërinë të angazhohen në politikë. Kjo është forma e vetme demokratike për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët. Vetëm duke dhënë modelin tënd pozitiv për vendin, mund të kërkosh ndryshimin. Duke qëndruar në kafene, duke urryer politiken, duke emigruar nuk ke zgjidhur asgjë, vetëm ju ke hapur rrugën atyre që duan të vjedhin, të poshtrojnë e të shkatërrojnë këtë vend. Unë zgjedh të mos mbyll sytë ndaj gjëndjes në të cilën është katandisur vendi dhe politika që po e udhëheq këtë vend, por të jap kontributin tim në gjetjen e zgjidhjeve dhe përmirësimin e këtij realiteti.

Në përfundim të procesit pati shtrëngim duarsh, dhe urime për fituesin, ç’ka përbën një mesazh shumë domethënës, si u ndjetë në ato momente?

Të paktën në Mirditë nuk ka ndodhur në asnjërën nga forcat politike, që të kishte një pranim të rezultatit edhe brenda llojit. Gjithëmonë ka nisur një përqarje e re nga ai moment. Këtë nuk do ta doja kurrë të ndodhte kur unë të isha në garë, pavarsisht çdo rezultati. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe kjo për meritë të dy kandidatëve të tjerë dhe për këtë i falenderoj që e pranuan dhe u shprehen të gatshëm të kontribuojnë. Minimalisht nuk nisi me një përqarje te re dhe kjo më gëzon. Të them vetëm një fakt, që shumë gjëra na vijnë edhe psikologjikisht kur ndodhemi në një situatë të ndezur me emocione. Dukej nga fillimi epërsia ime në vota, këtë po e kuptonin edhe mbështetësit e mi demokratët që qëndronin jashtë dhe na ndiçnin nga xhamat e pallatit të kulturës. Vazhdimisht u bëja shenja dhe i orjentoja, që të qetësoheshin dhe të mos ngacmonin emocionalisht dy kandidatët. Por edhe një herë e ritheksoj se ishte meritë e tyre që PD Mirditë nuk ka një krisje të re. Ju kam kërkuar që të jenë krah meje për nismat që do të merren për forcimin e opozitës. Dhe e kam marrë mbështetjen e tyre. Do jemi bashkë, në udhëtimin tonë të përbashkët.

Për hir të realitetit ndonëse në pakicë, duhet pranuar fakti se ka dhe një palë tjetër, që mbështesin Bashën edhe në Mirditë, kryesisht ish drejtues të PD. Cili do të jetë raporti institucional që do të keni me to?

Ne bisedojmë shpesh bashkë pasi përveçse në një forcë politike, jemi edhe miq dhe kemi vite që punojmë bashkë për PD. Ata kanë mendimin e tyre dhe i qëndrojnë atij mendimi. Në fakt mendimin ndryshe unë e kam parë gjithmonë si vlerë brenda forcës tonë, flas në këtë rast në nivel lokal. Unë jam përpjekur të takoj çdo demokrat gjatë fuahatës, kjo për të bërë edhe një vlerësim të situatës dhe krisjes që ka PD. Ekziston një përqarje dhe kjo nuk ka diskutim, pavarsisht numrave. Një pjesë e këtyre ish funksionarëve, kanë zgjedhur të mos përfshihen gjatë këtyre ditëve. Ndërsa antarë të thjeshtë në seksione janë paraqitur e kanë votuar duke shprehur vullnetin e tyre. Besoj një hap është bërë duke u kërkuar atyre të jenë pjesë aktive e PD. Edhe institucionalisht nuk do mungojë fryma që PD Mirditë të bashkohet. Unë mendoj që e keqja më e madhe është përtej PD dhe kam bindje se këtu bashkohemi edhe me ata ish funksionarë. Ne kemi shumë gjëra që na bashkojnë, e pak që na ndajnë. Do ta fillojmë me ato që na bashkojnë.

Jeni përfaqësues i shtresës së ish të përndjekurve politik, dhe një familje fisnike, prijëse e bajrakut të Kthellës, dhe tani demokratët ju besuan të drejtoni krejt Mirditën, çfarë përbën për ju kjo?

Në fakt dukej hapur mbështetja e ish të përndjekurve politik dhe për këtë i falenderoj nga zemra. Njëri nga ata më tha: - Nuk të njoh (në fakt unë e njihja) por je i Melysh. Me të parët tuaj i kam eshtrat e babës në një varr dhe nuk mund të mos votoj. Në fakt gjyshi im është në një varr me babën e tij dhe ne jemi 14 familje që i themi vëllezër njëri-tjetrit për arsye të bashkimit të eshtrave të 14 burrave të vrarë në Qafën e Valmirit, me 17 Gusht 1949. Më kanë ndihmuar të gjithë të përndjekurit, por veçoj njërin të ardhur nga Italia Gjovalin Paloka, që e falenderoj shumë. U them që do përpiqem të mos u zhgënjej. Ata në jo pak raste janë zhgënjyer nga PD, pasi nuk janë përkrahur e ndihmuar që të reabilitohen. Partia Demokratike ka patur dhe ka bazën e saj, zemrën e saj, ish të përndjekurit politik, por duhet të pranojmë se Partia Demokratike, që të jetë e gatëshme për pushtet, në elektorat duhet të kaloj tek të gjitha shtresat sociale dhe ti përfshijë ato. Sa i përket të qënurit familje fisnike dhe prijëse e bajrakut të Kthellës sinqerisht është motivim i fortë dhe krenari. Duhet të pranojmë që kohrat kanë ndryshuar dhe të rinjtë sot nuk i kuptojnë as nuk e mësojnë historinë e vendlindjes dhe nuk kanë interes për të. Sot ato e dinë shumë mirë kush është marka më e mirë e fastfood-ve dhe nuk dinë kush është shkolla opo universiteti më i mirë. Pra minimalisht historia e Mirditës u duhet përcjellur nga familjet apo duhet gjetur forma, që të rinjt të ripërtrijnë historinë krahinore. Mirdita është vetëqeverisur për 500 vite dhe ka mbrojtur traditat, besimin e kulturën e kjo nuk ka ardhur rastësisht. Nuk duhet të harrojmë se mirditorët para të drejtës zakonore kanë qënë të barabartë, duke filluar nga kapedani, bajraktari, vojvoda, plaku i bajrakut, i fisit deri tek njeriu më i thjeshtë. Kjo është vlerë për të gjithë mirditorët e kjo duhet ruajtur e mbrojtur fort. Por kthehemi tek pyetja juaj. Në një bisedë pas fitores me të afërmit, u thashë që emri është i imi, mbiemri është i të gjithëve dhe ndjej detyrimin që nisur edhe nga historia që mbart familja jonë të vazhdojmë të japim kontributin tonë për Mirditën dhe Shqipërinë. Tani, përveç mbështetjes dhe besimit të familjes, kam marrë mbështetjen dhe besimin edhe të demokratëve mirditorë dhe jemi forcë e shtuar, energji e re, të nevojshme këto për të sjellë ndryshimin e munguar.

Kur datojnë fillesat politike, dhe cili është aktiviteteti juaj politik?

Mbaj mend që shikoja nga televizioni rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës dhe në fytyrat e dy axhave (xhaxhallarëve) dhe babës shikoja një ngazëllim, një mllef dhe dëshirë për të qënë atje. Nga aty fillova të pyes: - Pse gjithë ky mllef dhe entuziazëm njëkohësisht?!. Pastaj fillova të kuptoj se cfarë kanë vuajtur dhe gradualisht pse të gjithë të përfshirë në PD. Aty ka filluar ushqimi për PD, e më sipër u shpjegova arsyet pse i hyra rrugës së politikës. E kam filluar antar i thjeshtë i PD në vitin 2000, i anëtarësuar nga xhaxhai im Prenga dritë i baftë shpirti, pasi ishte kryetar seksioni për fshatin Malaj-Epër. Kam vazhduar si antar i forumit rinor nga viti 2011 (kuptohet pas shpërnguljes në Rrëshen në vitin 2005). Duke vijuar në vitin 2013 si kryetar seksioni këtu në qytet, nënkryetar grupseksioni në vitin 2015-2017. Kryetar grupseksioni në vitet 2017-2021. Njëkohësisht nga 2019 kam mbajtur edhe pozicionin e nënkryetarit të degës së Partisë Demokratike Mirditë.

Cili është edukimi dhe formimi juaj profesional dhe intelektual dhe ku keni punuar?

Kam mbaruar studimet e larta në universitetin e Tiranës në degën Punë Sociale, Master shkencor në Shkenca Sociale. Kuptohet që për interes personal dhe të punës që vazhdoj, kam ndjekur e vazhdoj të ndjek trajnime dhe kualifikime të ndryshme, kjo më shumë e lidhur me arsimin dhe menaxhimin. Kam punuar si mësues nga 2013-2015 në Gjimnazin e Rrëshenit. Nga 2015 vazhdoj në shkollën e Mesme Jopublike “Shën Jozefi Punëtor” Rrëshen, këtu me disa funksione si mësues dhe drejtues, aktualisht jam zëvëndës drejtor i kësaj shkolle.

Cilat janë prioritetet e punës tuaj në krye të PD Mirditë, në 100 ditëshin e parë?

Momenti që jemi kërkon një plan të mirëdetajuar dhe të fokusuar në dy drejtime, që duhet të shkojnë paralel njëri me tjetrin dhe fillon që në ditën e parë: Strukturimi i Partisë Demokratike dhe Opozitarizmi Lokal. Me të parën kuptojmë që përveç strukturimit të kryesisë së degës, që do të kryhet brenda disa ditësh, njëkohësisht do të fillojmë takimet në çdo seksion të PD. Në këto takime me antarët dhe mbështetësit e PD, do të rioganizojmë seksionet duke ftuar kontributor e drejtues ndër vite, për të ndarë së bashku mendime për forcimin e strukturës. Njëkohësisht edhe bërjen e një analize dhe nxjerrjen e të metave të qeverisjes lokale e qëndrore. Në mënyrë që të ushtrojmë “presionin” opozitar në inters të qytetarëve. Krijimin e shtabit elektoral, në rang seksioni, grupseksioni dhe dege, pasi jemi vetëm një vit para zgjedhjeve lokale. Gradualisht në këto takime do të përpilojmë nevojat që kanë qytetarët, ku bashkë me ekspertët tanë lokal dhe jo vetëm, do të përgatisim ofertën e PD Mirditë për zgjidhjen e tyre. Në këtë mënyrë do ti paraprijme, që të kemi një program të qartë, serioz dhe në kohë për zgjedhjet lokale. Për sa i përket opozitarizmit në rang lokal për të qënë zëri i qytetarëve, do organizohemi me ekspertët tanë për të ndjekur e vlerësuar investimet që po kryhen, projektet që ato kanë dhe zbatimin e tyre. Në këtë mënyrë do të bëjmë që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

Intervistoi dhe përgatiti për botim:

Martin DEDAJ

Lezhë-Mirditë-Lezhë më 02.05.2022

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat