Mandati i ministres Olta Xhaçka/ PD gati për ta çuar në Kushtetuese, duhen 28 firma. Zbardhet debati i plotë, socialistët morën kohë për…

Shqipëria

Mandati i ministres Olta Xhaçka/ PD gati për ta çuar në Kushtetuese, duhen 28 firma. Zbardhet debati i plotë, socialistët morën kohë për…

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 07:38
Deputetët

Maxhoranca socialiste kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me dosjen e përgatitur nga opozita, e cila kërkon heqjen e mandatit e deputetit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, me argumentin e konfliktit të interesit dhe shkelur Kushtetutën.

Në mbledhjen e parë të Këshillit të Mandateve, PS mori kohën për t’u njohur me faktet e pretenduara nga PD me arsyetimin se anëtarët e majtë nuk kishin pasur kohën e nevojshme për të studiuar materialin, duke shtyrë mbledhjen për një ditë tjetër.

Kjo kërkesë nuk u prit mirë nga demokratët, të cilët u shprehën se 1/10 e deputetëve të Parlamentit kërkoi pavlefshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka, për të cilën i duhen edhe votat e socialistëve.

Me akuzën se ka përdorur postin e saj në qeverinë e Edi Ramës për t’i dhënë bashkëshortit akses përmes ligjit “Për Investimet Strategjike” në pronat dhe paratë publike, opozita paralajmëroi se do ta çojë Olta Xhaçkën në Gjykatë Kushtetuese për t’i hequr mandatin e deputetes. Nëse PS nuk do ta lëshojë ministren Xhaçka, së cilës dje duket se i “buzëqeshi fati”, atëherë PD ka edhe një mundësi tjetër, me 28 firma mund t’i drejtohet Kushtetueses, të cilës i takon edhe vendimin përfundimtar.

Por, në kërkesën që PD duhet t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë firma e kreut të Grupit, Enkelejd Alibeaj. Kjo, për faktin se anëtarja e Kushtetueses Marsida Xhaferllari, është bashkëjetuese e Alibeajt.

Në konflikt të interesit, ajo duhet të japë dorëheqjen nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, duke e çuar në 7 numrin e anëtarëve kushtetues për vendimmarrje.

DEBATI

Enkelejd Alibeaj: Kërkesa është e nënshkruar nga 14 deputetë. Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse, vendimet e Komisionit të Investimeve strategjike, dhënien e statusit të investitorit strategjik të shoqërisë që ka lidhje me znj. Xhaçka. Ekstraktet nga institucionet që përcaktojnë kush është administratori i shoqërive përkatëse. Kërkesa i ka të gjithë elementët. Janë përcaktuar qartësisht dispozitat ligjore, shkelja e tyre, analiza e fakteve dhe pjesa e provave.

Klotilda Bushka: Nuk bëhet fjalë vetëm për një kërkesë, por edhe për dokumente bashkëngjitur. Do të ishte në seriozitet të punës së këtij këshilli që të gjithë kolegët të lexojnë materialet para fillimit të prezantimit të kërkesës. Kërkesa ka ardhur në datën 20 kohë kur ne nuk kemi qenë në Tiranë, ndaj do kërkoja që ta shtyjmë në mbledhjen tjetër prezantimin dhe diskutim për këtë çështje, që edhe kolegët ta lexojnë siç duhet.

Enkelejd Alibeaj: Mund të jetë edhe e logjikshme kërkesa për t’u njohur me dokumentacionin. Kërkesa të tilla për ta shtyrë se nuk jemi njohur me dokumentacionin, besoj se ia ulin seriozitetin. Kërkesa jonë është depozituar prej kohësh. Ne mund të gjejmë një zgjidhje të mesme, të tipit jemi mbledhur sot për të respektuar dhe vendimmarrjen tuaj që sot të ecim me prezantimin e kërkesës, ndërsa më pas mblidhemi në një seancë tjetër. A është teatër apo jo, këtë e the ti. Ti mund ta quash teatër. Ne kemi paraqitur një kërkesë, sipas të gjitha rregullave, me prova dhe fakte, Sot jemi të përgatitur për ta diskutuar, shqyrtuar, nëse do përdor gjuhën e rregullores dhe ligjit. Sinjali i parë që jepni ju është ta shtyjmë dhe tregon qasjen tuaj, t’ia heqim nga sytë publikut është që mos të respektojmë rregulloren. Unë nuk thashë që të vijë zonja. Është e drejta e saj, do të vijë, s’do të vijë, të mbrohet apo jo. E them këtë për hir të seriozitetit. Është e qartë që i fundit organ që vendos, e ndan shapin nga sheqeri, është Gjykata Kushtetuese. Por ky këshill sot pas këtij hapi, seanca plenare s’do të duhet të lëmë gjë procedurale deri sa të vejë te Gjykata Kushtetuese. Thatë nuk ka debat, pse kërkoni kohën? Po ne do debatojmë, diskutojmë, shqyrtojmë dhe ju keni të drejtën që t’i studioni me seriozitet aktet bashkëlidhur kërkesës. Është në respekt të procedurave që ky Parlament duhet të zbatojë.

Ermonela Felaj: Ne bëmë një kërkesë objektive dhe serioze. Nuk mendoj se ky dokument është hartuar në një minutë të vetme. S’po kërkojmë që t’i hedhim një sy, pasi të gjithë dimë të lexojmë. S’duam të bëjmë orën e këndimit që bëjnë në klasë të dytë. Hyni në sistemin TIMS dhe disa kolegë kanë qenë jashtë vendit dhe kërkesa dhe dokumentat na janë vënë në dispozicion vetëm sot. Që të bëhet diskutimi për atë element, kërkon kohë paraprake. Këtë kohë po kërkojmë ne. Ne nuk i komentojnë arsyet tuaja.

Dashnor Sula: Unë do ta përkrah kërkesën e maxhorancës. Është normale për të përfituar kohë. Merreni kohën, studiojeni dosjen, por sot relatori duhet të lexojë dosjen dhe faktet. Ju dëgjojeni dhe pastaj lexojeni.

Lindita Nikolla: Nuk mund të anashkaloj kërkesën që bëhet nga kolegët, për një çështje serioze që të kenë një studim paraprak të të gjithë dokumentacionit, të jemi në gjendje për të gjykuar gjithë opinionin që do ndërtojë gjithë ky Këshill Mandatesh. Unë mendoj ta mbyllim mbledhjen këtu dhe t’u japim kolegëve gjithë kohën e nevojshme për të studiuar gjithë dokumentacionin që është sjellë prej jush dhe t’i japim seriozitet.

Çfarë parashikon Neni 70 i Kushtetutës?

Kushtetuta nuk u ka lënë “dorë të lirë” deputetëve për të vendosur për heqjen e një mandati për kolegun e tyre në rast se ai ka shkelur ligjin. Në lidhje me kërkesën e PD-së për heqje mandatin e Deputetes, të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, për shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ligji themeltar e ka një zgjidhje. Por çfarë thotë Kushtetuta?

Në nenin 70, pika 4, Kushtetuta ka parashikuar hapin që duhet të ndiqet nëse ka një kërkesë për heqjen e mandatit ndaj një të zgjedhuri në Kuvend.

Neni 70, pika 4 parashikon që: Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat