​Aktivizohet në Shqipëri Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA

Shqipëria

​Aktivizohet në Shqipëri Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 16:33
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në prani edhe të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim

Aktivizohet në Shqipëri Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SFAB), një ekip të cilës do të mbështesë dhe këshillojë Batalionin e Dytë të Këmbësorisë së Forcës Tokësore.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në prani edhe të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim u theksua rëndësia e ndërveprueshmërisë mes aleatëve të NATO-s në një terren të ri për sigurinë botërore.

Në fjalën e tij, ministri Peleshi vlerësoi mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që SHBA kanë dhënë për Forcat e Armatosura.

“Ky grup-batalion është objektivi ynë kryesor në NATO dhe jemi duke punuar intensivisht për të bërë të mundur realizimin e të gjitha detyrimeve në këtë kuadër dhe padyshim asistenca e ekipit amerikan është e një rëndësie të veçantë. Jam i bindur që puna juaj do të japë frytet e saj dhe do të kurorëzohet me certifikimin e suksesshëm që kjo strukturë do t’i nënshtrohet gjatë muajit shtator të këtij viti”, tha ministri i Mbrojtjes.

Duke theksuar vendimet tejet të rëndësishme që u morën në Samitin e NATO-s në Madrid si dhe miratimin e Konceptit të ri Strategjik të Aleancës, ministri Peleshi garantoi forcimin e angazhimit të Shqipërisë përkrah aleatëve të saj ushtarakë.

“Shqipëria, jo vetëm që do të vijojë të jetë pjesë e trupave në krahun lindor të Aleancës me prezencën tonë në Letoni, por do të shtojë kontributin edhe në Bullgari, në kuadër të Grup-Batalioneve të reja që do të krijohen në disa prej vendeve anëtare të Aleancës. Ne do të vijojmë të përmbushim me seriozitet dhe profesionalizëm detyrimet në Aleancë dhe detyra juaj, të nderuar ushtarakë, është të shfrytëzoni në maksimum këtë mundësi që ju jepet për të rritur dhe më tej standardet operacionale në mënyrë që të jeni të ndërveprueshëm me homologët tuaj“, theksoi ministri Peleshi.

Në fjalën e saj, ambasadorja amerikane Yuri Kim e vlerësoi aktivizimin e Brigadës së Forcave të Sigurisë dhe të ndihmës së ushtrisë së SHBA si një hap të rëndësishëm për të çuar në lartësi të reja marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

“Në fillim të këtij viti, më 9 mars, ne ngritëm në Tiranë Shtabin Rajonal për Ballkanin të Forcave Speciale të SHBA-së – praninë e parë të vazhdueshme në histori të forcave ushtarake të SHBA-së në Shqipëri. Sot, kemi kënaqësinë të vëmë në funksion zyrtarisht një tjetër element të pranisë sonë: Brigadën e Forcave të Sigurisë dhe të Ndihmës së Ushtrisë së SHBA, e njohur gjithashtu si SFAB. SFAB, e cila është njësia kryesore e stërvitjes ushtarake e ushtrisë sonë, është në partneritet me njësinë ushtarake kryesore shqiptare – Grup Batalionin e Këmbësorisë së Lehtë – për të forcuar aftësitë ushtarake të Shqipërisë. Grup Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë ka bërë tashmë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave të tij të aftësisë së NATO-s”, tha Kim.

Ambasadorja theksoi se “nën ministrin Peleshi dhe gjeneral brigade Kingji, forcat shqiptare vazhdojnë të përmirësohen përmes modernizimit, zhvillimit të infrastrukturës dhe ndryshimeve strukturore që do të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për sigurinë rajonale dhe globale. Në të vërtetë, pushtimi i paprovokuar, i pajustifikueshëm, brutal i Rusisë ndaj Ukrainës, e bën të qartë se aftësitë dhe ndërveprueshmëria e Aleatëve të NATO-s janë vendimtare”.

“Ushtarët e SFAB janë drejtues të sprovuar që janë më të mirët në zanatin e tyre dhe ata do të bëjnë përpjekjet e tyre më të mira në çdo orë, të çdo dite, për të siguruar që forcat amerikane dhe shqiptare të mund ta bëjnë këtë. Gjithashtu, ushtarët tanë të SFAB do të forcojnë pa dyshim më tej lidhjen e pathyeshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Trupat amerikane dhe shqiptare këtu sot, i përshëndes dhe i falënderoj për kontributin tuaj në marrëdhëniet e qëndrueshme SHBA-Shqipëri. Puna që do të kryeni së bashku do të na ndihmojë të ndërtojmë 100 vitet e ardhshme të marrëdhënieve”, deklaroi ambasadorja Kim.

Në ceremoni morë pjesë edhe zëvendës shefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Manushaqe Shehu dhe komandanti i Forcës Tokësore, Arben Kingji.

Aktivizimi i ekipit të Brigadës së Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA në Shqipëri vjen pas aktivizimit në vendin tonë edhe të Shtabit të Përparuar të Forcave Speciale Amerikane në Evropë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat