Sula nxjerr prapaskenat nga mbledhja e demokratëve dhe tregon ‘kurthin’ që dyshon se po ngre Berisha

Shqipëria

Sula nxjerr prapaskenat nga mbledhja e demokratëve dhe tregon ‘kurthin’ që dyshon se po ngre Berisha

Më: 20 korrik 2022 Në ora: 20:42
Dashnor Sula

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka zbuluar më shumë detaje nga takimi informal që ai dhe kolegë të grupit parlamentar demokrat zhvilluan një ditë më parë.

Në studion e ‘Radar Informativ’, Sula tha se ata ishin thuajse të gjithë në një mendim se duhet një aksion i ri politik në shtator.

Nga ana tjetër, deputeti u shpreh se ka kolegë që i “fryjnë zjarrit”,  për ndikimin e mundshëm të Lulzim Bashës te një pjesë e tyre.

“Mendoj që të paktën të gjithë kishin të njëjtin mendim që duhet një aksion polik brenda opozitës po duhet të bashkohemi në mënyrë reale, që shumica janë ata dhe pakicë jemi ne. Por ama duhet ta bëjmë. Ka shumë rëndësi që të diskutohet për problemin e zotit Basha dhe ndikimin e tij.

Është folur shumë për të. Kam ngelur i çuditur nga një pjesë e kolegëve që vazhdojnë t’i fryjnë zjarrit sikur ka Basha ka ndikim në grup. Edhe zoti Bardhi dhe Alibeaj nga pikëpamja politike nuk e mbrojtën Basha. Zoti Bardhi është politikan që ka artikuluar që ka thënë se rikthimi i zotit Basha është rikthim në pikën zero”, tha Sula.

Deputeti demokrat aludon se ndoshta krahu i Sali Berishës po përpiqet të krijojë një konflikt mes tyre. Ai thekson se ishte ky grup parlamentar që kërkoi dorëheqjen e Bashës dhe ky i fundit është tashmë i larguar. Madje, Sula e quan të gabuar faktin që Basha qëndron i tërhequr dhe nuk angazhohet me PD-në.

“Tani mos ka këtu indicie të caktuara nga krahu tjetër që duan të krijojnë përsëri që ne jemi pro Basha, duan që kësaj pjese, mendoj të krijojnë një konflikt.

Nuk kam as prova, bëra avokatin e djallit. Po them që në 21 mars ishte ky grup që i kërkoi dorëheqjen e zotit Basha. Ky grup nuk ka terren për zotin Basha. Pse  e faktorizoni, ai është në shtëpi. Për mua nuk kam asnjë lloj ndjesie, por bën gabim që ai nuk angazhohet në grupin parlamentar dhe të japë kontributin e tij”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat