‘Fluturojnë’ çmimet e apartamenteve/ BSH: Rriten me 39% në rang kombëtar

Shqipëria

‘Fluturojnë’ çmimet e apartamenteve/ BSH: Rriten me 39% në rang kombëtar

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Kriza e çmimeve edhe pse më së shumti është reflektuar tek produktet ushqimore dhe tek hidrokarburet, të dhënat që vijnë nga tregu i pasurive të paluajtshme janë edhe më të ‘frikshme’. Banka e Shqipërisë raporton për çmime stratosferike në gjashtëmujorin e parë të vitit si për shitje ashtu edhe për qiratë e banesave.

Sipas raportit nga janari në qershor ka pasur një rritje të fortë të kërkesës për banesa dhe shtrenjtim të kostove e për pasojë raportohen për rritje të çmimeve me 39% në rang kombëtar dhe vetëm në Tiranë janë rritur me 40%.

“Rritja e kërkesës dhe e kostove të ndërtimit, ka bërë që agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme të raportojnë çmime shitjeje më të larta ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Sipas indeksit Fischer12 , çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës është rritur me 28.4% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo ecuri u përcaktua sidomos nga rritja e vëllimit të shitjeve të kryera në zonën e Tiranës, e cila përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit. Indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet regjistroi një rritje prej 28.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe rreth 40% ndaj një viti më parë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Në raportin e Bankës si shkaqe të tjera që mund të kenë ndikuar në shtrenjtimin e banesave është edhe rritja e çmimit të energjisë dhe e pasigurisë që ekziston në treg si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Mbi bazën e të dhënave të vrojtimit për gjendjen e tregut të pasurive të paluajtshme dhe ecurinë e çmimit të banesave, të dhënave të raportuara nga bankat dhe të dhënave të tjera administrative, vlerësohet që gjatë periudhës, kërkesa, oferta dhe kostot e ndërtimit në tregun e pasurive të paluajtshme janë rritur dukshëm. Rritja e kërkesës dëshmohet nga rritja e vëllimit të shitjeve, rënia e numrit të pronave të pashitura dhe rritja e kredisë për blerje banese. Rritja e ofertës lidhet me rritjen e qëndrueshme të numrit të lejeve të ndërtimit, e shoqëruar këtë herë edhe me rritjen e dukshme të kostove të ndërtimit. Ecuria e këtyre të fundit ka reflektuar rritjen e fortë në shpenzimet për energji, materiale ndërtimi dhe makineri”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimit të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë operatorët e tregut të pasurive të paluajtshme mbeten optimist edhe për të ardhmen, e presin rritje të mëtejshme të çmimeve, ndikuar përsëri nga kostot në rritje dhe pasiguria.

“Vlerësimet e subjekteve të intervistuara si pjesë e vrojtimit për gjendjen e tregut dhe çmimet në tregun e banesave janë të balancuara për afatin e shkurtër, duke qenë neutrale për situatën në zonën e Tiranës dhe pak më pesimistë për situatën në zonat e tjera. Ky vlerësim mund të jetë ndikuar nga zhvillimet e jashtme dhe pasiguria për ecurinë e inflacionit apo kostot e ndërtimit. Ne afatin më të gjatë, pritjet e këtyre subjekteve për gjendjen dhe ecurinë e tregut të banesave mbeten optimiste. Kriza e çmimeve edhe pse më së shumti është reflektuar tek produktet ushqimore dhe tek hidrokarburet, të dhënat që vijnë nga tregu i pasurive të paluajtshme janë edhe më të ‘frikshme’. Banka e Shqipërisë raporton për çmime stratosferike në gjashtëmujorin e parë të vitit si për shitje ashtu edhe për qiratë e banesave”, vijon më tej raporti.

Si pasojë e çmimeve stratosferike, më shumë se gjysma e banesave janë blerë me hua bankare dhe në shumicën dërrmuese të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

“Jo vetëm çmimet e blerjeve por edhe të qirave janë rritur, ndikuar më së shumti nga vlera e banesave në kryeqytet. Nga një monitorim i thjeshtë online në Tiranë, garsonierat kanë qira mesatarisht 250-300 euro,  duke u shtrenjtuar minimalisht me 50-100 euro në 2 vitet e fundit. Ndërsa apartamentet 1+1 nisin nga 350 euro dhe më lartë, kurse të marrësh një apartament 2+1 në Tiranë mund të konsiderohet luks pasi pagesa mujore ndonjëherë kalon 1000 euro”, thuhet ndër të tjera në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat