Kraja nga Brukseli: SPAK do të rrisë bashkëpunimin me prokurorinë belge

Shqipëria

Kraja nga Brukseli: SPAK do të rrisë bashkëpunimin me prokurorinë belge

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 11:30
Arben Kraja

SPAK do të forcojë bashkëpunimin me prokuroritë ndërkombëtare si domosdoshmëri për të arritur suksesin në luftën nga krimit dhe korrupsionit.

Mesazhi u dha nga kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e 20 vjetorit të Prokurorisë Federale të Belgjikës që u mbajt në Bruksel.

Vetë Kraja tha se SPAK do të forcojë bashkëpunimin për shkëmbim informacioni me prokurorinë belge dhe kjo duhet të jetë mesazh i qartë për shqiptarët me precedent në Belgjikë.

“Në sesion u diskutua përvoja 20-vjeçare e Prokurorisë Federale Belge. Të gjithë diskutantët ishin në një linjë, që krijimi dhe jetëgjatësia e një strukture prokurorie të specializuar dhe qendrore është e domosdoshme për të patur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit”, tha Kraja.

Kreu i SPAK theksoi se lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është një betejë e gjatë dhe e vazhdueshme dhe duhet realizuar në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet strukturave të zbatimit të ligjit.

Drejtuesi i SPAK zhvilloi takime edhe me personalitetet e ftuar dhe veçanërisht me drejtuesit e prokurorive prezente në takim, në kuadër të vendosjes së kontakteve të reja.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat