Samiti i BE në Tiranë, Rama: Protesta e PD-së, absurde

Shqipëria

Samiti i BE në Tiranë, Rama: Protesta e PD-së, absurde

Më: 4 dhjetor 2022 Në ora: 15:35
Edi Rama

I pyetur nëse ka pasur ndonjë tentativë për të negociuar nga Partia Socialiste më Partinë Demokratike, në mënyrë që protesta e parashikuar në 6 dhjetor të mos zhvillohet në atë ditë, Kryeministri u përgjigj:

“Partia Demokratike sot  ka më shumë se një kuptim. Janë pjesë e një force që mban Partia Demokratike por është një forcë e shpërbërë. Nuk shikoj asnjë arsye për të negociuar me askënd. Siç e thashë perimetri i sigurisë të samiteve kombëtare nuk negociohet me askënd. Ndodh që forca, organizata, grupime të caktuara që janë kundër këtyre samiteve të  bëjnë protesta. Nuk ndodh, nuk ka se si  të ndodh që të bëhen protesta pro samiteve. Protesta kundër, po, ndodh, por ato zhvillohen jashtë perimetrit të sigurisë, në të gjitha rastet në të gjitha vendet, kudoqoftë  dhe kurdoqoftë, kështu që nuk e shikoj si çështje mes Partisë Socialiste, jo e jo, por qeverisë dhe një pjesë e  të ashtuquajturës opozitë. E shikoj si një çështje sigurie që i takon organeve përkatëse në bashkëpunim me strukturat përkatëse të angazhuara nga organizatorët. Këtë samit nuk  e organizon Shqipëria, Shqipëria është vendi mikpritës që ka për detyrë të marrë të gjitha masat organizatori është Bashkimi Europian, që ky samit të  ketë mbarëvajtje sikundër do e ketë. Çfarë ka këtu për të negociuar dhe me kë. Për të mos ju futur pastaj që kjo është një protestë absurde”, tha kryeministri Rama.Më tej kryeministri shtoi: “Udhëhiqet nga një individ i shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe të gjitha të zezat e mundshme dhe të imagjinueshme që mund të përmblidhen në një copë letër.

Përtej këtij vlerësimi, që është i njohur dhe i ditur. Këtu nuk jemi në kushtet e pasojave të vlerësimit, këtu jemi në kushtet që siguria e Samitit nuk negociohet me askënd dhe jam i bindur se askush nuk do e provojë që ta thyejë perimetrin e sigurisë. Jam i sigurt për këtë se është pa sens është pa kuptim. Është një çmenduri e një niveli që edhe çmendurakëve për të cilët flasim nuk u shkon. Pa hyr pastaj në atë pjesën më të tmerrshme të gjithë kësaj që është njollosja e qëllimshme e një dite, e një ngjarje, për të tërhequr vëmendjen për halle personale dhe nga ana tjetër, për të mos e lënë Shqipërinë që të lulëzoj atë ditë në të gjitha mediat ndërkombëtare, por patjetër të ketë nga pas edhe një ferr, që po ishte ky samiti, por ishin edhe disa të tjerë që protestonin për narkoshtetin. Domethënë mblidhet e gjithë BE-ja për një narkoshtet. Një çmenduri”!

Kreu i qeverisë shtoi ndër të tjera, se nga ana e BE-së nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi në lidhje me faktin se atë ditë do të zhvillohet protestë nga ana e PD-së.

“Nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi. Nuk ka arsye të  ketë asnjë lloj shqetësimi”, u shpreh Rama.Kryeministri Edi Rama tha se samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet më 6 Dhjetor në Tiranë është vlerësim strategjik për Shqipërinë.

“Është vlerësim strategjik për Shqipërinë, nuk është stacion i zgjedhur rastësisht.  Është një stacion i zgjedhur mënyrë shumë të mirëmenduar. Ndërkohë ne  po përgatitemi për këtë samit, për   të luajtur përsëri rolin tonë, si Shqipëri, por edhe si rajon. Siç jemi përpjekur dhe besoj se e kemi luajtur prej kohësh tani, kur në tryezën e të mëdhenj të Europës jemi ulur gjithnjë si të barabartë mes të barabartëve dhe pavarësisht se jemi shumë të vetëdijshëm për rrugën që ende na duhet të bëjmë për t’u bashkuar në atë tryezë si anëtarë të barabartë mes të barabartësh, nuk jemi penguar  asnjëherë në vetëdijen tonë, por as në këtë përpjekje tonën për të qenë të drejtpërdrejtë dhe për ti thënë gjërat ashtu siç janë, pa asnjë kompleks dhe pa asnjë frikë ”, tha kryeministri.

Ai u shpreh se qeveria e tij është e vetëdijshme për rrugën që duhet për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Kreu i qeverisë tha se qeveria po përgatitet për samitin BE-Ballkani Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat