Rama firmos vendimin/ U jep pensionistëve “lëmoshë” pak para zgjedhjeve të 14 majit

Shqipëria

Rama firmos vendimin/ U jep pensionistëve “lëmoshë” pak para zgjedhjeve të 14 majit

Më: 1 prill 2023 Në ora: 20:35
Edi Rama

Sot më 1 prill, kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin që u jep pensionistëve shpërblim 5 mijë lekë. Një lëmoshë kjo krahasuar me vlerën e taksave që ka mbledhur nga eksportuesit e mëdhenj të energjisë.

Shpërblimi që kryeministri Rama jep për pensionistët vjen vetëm pak kohë para zgjedhjeve të 14 majit.

“Ja ku prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohërave”, shkruan Rama.

Postimi i Ramës

Kur thosha do të vendosim taksë të jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe do t’ua shpërndajmë pensionistëve në prill, ata që ju e dini kush janë, bërtisnin ky është tatimi i jashtëzakonshëm komunist.

E bëri BE-ja, e tha edhe këtu Ursula Von Der Leyen që po, kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize dhe e mbyllën përkohësisht gojën.

Pastaj e hapën prapë gojën, duke u qarë hallin pensionistëve se i mashtroi Edi Rama dhe se s’do merrnin asgjë, po kur e dëgjuan që kjo do të ndodhte siç ishte premtuar, u hodhën përpjetë se po shkelej Kodi Zgjedhor! Krejt e pavërtetë, si zakonisht kur ata hapin gojën.

Por ja ku prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohërave.

Kjo është një tjetër masë lehtësuese për ta pas Pakos së Madhe, po nuk është e fundit, sepse ne nuk bëjmë dot sa duam për më të moshuarit, por nuk do të lemë kurrë pa bërë gjithçka mundemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat