Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Lezhë, Pashk Gjoni ka deklaruar se më 14 maj duhet të nisë fundi i së keqes me votën e lirë të qytetarëve.
Ai u shpreh se kryetari aktual i bashkisë është duke bërë gjithçka për të mbajtur bashkinë, duke përdorur edhe falangat e krimit.
Ai shtoi se Lezha do të kthehet në makthin e tyre dhe i gjithë qarku do të fitohet 3 me 0.
“Kisha përgatitur një fjalim por këtu flet zemra e shpirti para jush. Që nga 4 dhjetori jam në kontakt me ju kur në Primare më votuat si përfaqësues i opozitës. Zgjedhjet e 14 majit vetëm administrative nuk janë, janë politike, ku pushteti i korruptuar që për kryefjalë ka vjedhje dhe korrupsionin, duhet të marrë rrokullimën e madhe. E keqja duhet të nisë të marrë fund më 14 maj me votën e lirë.
Uzurpatorët e bashkisë duhet ta lëshojnë bashkinë në datën 15. Siç erdhën si jo banorët tonë, të tillë do të ikin, Lezhën do ta kenë si makthin e tyre. Bashkinë e morën si një plaçkë të falur. Ja sheshi ja mejdani, do ta provojnë me votën e lirë se sa iu vlen lëkura.
Po bëjnë çmos duke përdorur falangat e krimit, për të mbajtur bashkinë. U them ruani pak burrni para se të ikni sepse që d të ikni kjo është e sigurt. Kemi përballë jo njerëz të zakonshëm por përfaqësues të krimit, një kryetar bashkie i kapur që në 4 vite s’ka treguar gjë tjetër veçse di të pikturojë si ati i tij politik. Nga 72 mln që thotë se ka investuar në Lezhë, sikur edhe 30 mln tua gjejë vendin.
Sot 3 dit para zgjedhjeve del e asfalton rrugë. Turp e faqe e zezë”, tha ai.