Studiuesit këshillojnë shmangien e mbivendosjeve në nismat për Ballkanin perëndimor

Shqipëria

Studiuesit këshillojnë shmangien e mbivendosjeve në nismat për Ballkanin perëndimor

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 19:40
Forumi për integrimin

Studiues të ekonomisë europiane pohuan në Tiranë se nismat e ndërmarra për Ballkanin perëndimor, si Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur, kanë mbivendosje, prandaj duhet të harmonizohen drejt objektivit kryesor, që është integrimi në Bashkimin Europian.

Ata pohuan gjatë një forumi ekspertësh se rajonit i ka munguar ndikimi konkret i vet Bashkimit Europian me burime dhe kapacitete zhvilluese.

Në forumin e organizuar nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim dhe Grupi i Këshillimit të Politikave për Ballkanin në Europë, u analizua në detaje bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Studiuesi Richard Grieveson, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Ekonomike i Vienës, foli mbi studimin më të fundit të një grupi autorësh, i rekomandon më shumë fonde të BE-së drejt rajonit dhe harmonizim të nismave të ndryshme për rajonin si Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur.

“Duhet të arrihet një përputhshmëri e të gjithë nismave, sepse ka mbivendosje dhe konkurrencë të mundshme mes tyre, ndaj nevojitet që të gjithë nismat të jenë të harmonizuara dhe të jenë plotësisht në një linjë me objektivin e përgjithshëm, që është integrimi”, tha zoti Grieveson.

Ai theksoi se Procesi i Berlinit është një nismë shumë e rëndësishme për të punuar, ndërsa u shpall edhe nisma Open Ballkan.

“Bashkëpunimi rajonal nuk është qëllim në vetvete, por është pjesë e përmirësimit e standarteve të jeteës së njerëzve në rajon dhe për të afruar integrimin në BE, tha zoti Grieveson.

Studiuesit theksuan nga studimi se për integrimin nuk është arritur më shumë, sepse BE nuk i ka dhënë rajonit burime dhe kapacitete, për të ndikuar më shumë, megjithatë është shënuar përparim me bashkëpunimin dhe në tregun rajonal, i cili është vetëm sa 1 për qind e GDP-së të Bashkimit Europian.

“Kryefjala e bashkëpunimit rajonal tashmë do të jetë afrimi i rajonit me Bashkimin Europian kryesisht në rrafshin ekonomik. Kjo është kryefjala dhe gjithçka që do të bëjmë do të jetë pikërisht për të identifikuar ato instrumenta, të cilat e sjellin rajonin më afër tregut të përbashët”, thotë Odeta Barbullushi, këshilltare e kryeministrit dhe koordinatore kombëtare për zonën ekonomike rajonale

Studiuesit shprehën dyshimet e tyre se mbizotërimi i diskutimeve ekonomike mund të tërheqin vëmendjen dhe të lënë pas dore shqetësimet që po përballet rajoni mbi qeverisjen, korrupsionin, kapjen e shtetit dhe tendencat autoritare, po ashtu si edhe për skepticizmin e qytetarëve prej vonesave të integrimit.

“Nismat europiane për rajonin janë të mirëpritura, por po ecet shumë nga dalë. Njerëzit nuk mund të presin. Ato po i braktisin nga vendet e rajonit. Alternativa tjetër është që të lëvizim shpejt me këto instrumente, të bëhen investime, të krijojmë vende pune, sepse deri tani fatkeqësisht kemi vetëm fjalë dhe pak mbështetje, dhe mbështetja që ka ardhur është institucionale”, thotë studiuesi Selami Xhepa, doktor i shkencave ekonomike pranë Universitetit të Tiranës.

Ekspertët pohuan se në rajon projektet ekonomike nuk sjellin rezultate nëse nuk ka demokraci të shëndoshë dhe institucione demokratike, ndërsa problemet themelore që duhen trajtuar me përparësi, sipas tyre, janë qeverisja ekonomike, shteti ligjor, korrupsioni dhe nivelin e përgjithshëm të demokracisë.

Ata përmendën sondazhe, ku qytetarët shprehin një pritshmëri të lartë dhe dëshirojnë integrimin europian, por pak prej tyre presin një integrim të shpejtë, ndaj studiuesit pohuan se rajoni nevojitet të marrë përpara integrimit një pjesë të përfitimeve, që pritet të mbërrijë pas këtij procesi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat