Zbulohet një bazë e grupeve kriminale në Fushë Kuqe

Shqipëria

Zbulohet një bazë e grupeve kriminale në Fushë Kuqe

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 12:55
Foto ilustrim

Kujtdo që mund t’i binte rruga për të kaluar pranë kësaj shtëpie të vjetër, nuk do t’i kishte bërë përshtypje. Fundja në dukje ishte thjeshtë një shtëpi, si gjithë të tjerat. Fatmirësisht ky nuk ishte rasti i policisë së Lezhës, e cila falë dhe burimeve të inteligjencës, pikërisht në këtë banesë zbuloi një bazë që dyshohet se furnizonte grupet kriminale.

Në brendësi të kësaj shtëpie, e cila ndodhej në fshatin Gorre të Fushë Kuqes, u zbulua “një automjet me ndërhyrje në të për fshehje të të dhënave, 5 motomjete dhe 4 palë targa të vjedhura në Shqipëri dhe Kosovë, një sasi lënde plasëse me fitil zjarr përcjellës, veshje për kamuflazh dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e krimeve”.

Shtëpia ishte në pronësi të 40-vjeçarit Aleks Lulashi, i cili u vu në pranga.

Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se vijon intensivisht puna me qëllim arrestimin e personave për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Çfarë u sekuestrua

-1 automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit;

-5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur;

-4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë;

-400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim;

-Kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat