“Pas 45 ditësh protestë te rruga e Salës, kemi futur tjetër marsh”/ Deputetja e PD: Kolegët e mi të mos shkojnë më pas Bashës

Shqipëria

“Pas 45 ditësh protestë te rruga e Salës, kemi futur tjetër marsh”/ Deputetja e PD: Kolegët e mi të mos shkojnë më pas Bashës

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 16:18
Albana Vokshi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi shprehet se opozita tashmë është e bashkuar dhe gati për protestën e 20 shkurtit.

Në një intervistë në “Breaking” në Top News ajo thotë se pas 45 ditësh protestë në rrugën e Salës dhe një sërë aksionesh të tjera, tashmë edhe grupi parlamentar u bashkua.

Gazetarja: Çfarë e bindi Bardhin të vinte në këto momente?

Vokshi: Gjykoj që ka prevaluar interesi i demokratëve, interesi i publikut për një opozitë të bashkuar dhe një opozitë të fortë. Në fund të ditës ky bashkim dhe kjo ardhje e gjithë deputetëve të opozitës, Basha – Alibeaj dhe 3-4 deputetë që rrinë rrotull tyre nuk janë opozitë, tregon se sot jemi më të bashkuar. Ditët e fundit deputetët e PD-së janë organizuar, të gjithë kemi dalë bashkë në terren. Nuk duhet të jetë më çështje nëse i përkasin një grupi apo një tjetri. Po punojmë bashkë edhe për 20 shkurtin. Noka dhe Bardhi po bëjnë mbledhje të përbashkët për 20 shkurtin. Aksioni i përbashkët i deputetëve, të gjitha protestat që janë bërë para kryesisë së Kuvendit, para Gjykatës së Lartë, 45 ditët e protestës në rrugën e Salës sikurse thuhet nga të gjithë qytetarët, kanë bërë që të ketë një tjetër ritëm jo vetëm në grupin parlamentar, kemi futur një marsh tjetër.

Gazetarja: Keni një skenar për 20 shkurtin?

Vokshi: Po përgatitet. Ne po pyesim edhe qytetarët se si e duan ata protestën. Një gjë është e sigurtë që 20 shkurti do të jetë një ditë tjetër e rëndësishme. Ashtu si para 33 viteve u rrëzua busti i diktatorit, në 20 shkurt të këtij viti është e sigurtë që do fillojë rrëzimi i neo diktaturës që ka vendosur Edi Rama.
Protestës do t’i mungojë Berisha. Të gjithë e dinë karizmën e tij, si do të mbushet ky boshllëk?
Berisha vetëm fizikisht mund të mungojë. Në asnjë rast ai nuk mungon as moralisht, as shpirtërisht. 45 ditë protestë me mijëra qytetarë i jane bashkuar në rrugën e shpresës. Berisha nuk mungon në asnjë ditë dhe nuk do mungojë asnjë ditë.

Gazetarja: Ka informacione që disa deputetë të Bashës do të bashkohen me ju. Sa e vërtetë është?

Vokshi: Çdo deputet, çdo demokrat që i bashkohet kauzave të opozitës, është i ftuar. Është një ftesë e hapur për të gjithë kolegët e mi, që për fat të keq ndjekin ende Bashën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat