Gjykata e Fierit ka vendosur në seancën e sotme, të lirojë me kusht Fredi Belerin. Ish-kryetari i Bashkisë të Himarës, u dënua me 2 vite burg për blerje votash.
Behet me dije se ai kishte për të kryer edhe 6 javë burg.
Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet nga burgu nën siglën e partisë në pushtet në Greqi "Demokracia e Re".
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 5 mars të 2024 të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.
Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë. Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.
Para se trupi gjykues të tërhiqej për vendim, Beleri paraqiti qëndrimin e tij përfundimtar, duke e cilësuar hetimin e prokurorisë dhe vendimarrjet e ndërmjetme të gjyaktës si politike, me qëllim vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Bashkinë e Himarës. Ai u ndërpre nga kryesuesi Çela, i cili i kërkoi që të mos anatemonte trupin gjykues, por të paraqiste pretendimet e tij përfundimtare lidhur me akuzën e ngritur nga prokuroria. Beleri mbajti të njëjtin qëndrim si gjatë gjithë procesit, duke e cilësuar hetimin të stisur ndaj tij dhe të paligjshëm.
“Që nga fillimi e deri më sot kjo çështje është politike,” pretendoi Beleri, fjala e së cilit u duartokit nga mbështetësit e tij në sallë.
Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.
Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jordgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.
Dosja u transferua prej Prokurorisë së Vlorës në atë të Posaçme, SPAK, që kërkoi deklarimin fajtor të Belerit për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe dënimin e tij me 2.6 vjet burg. Për Kokaveshin, SPAK kërkoi dënimin me 2 vjet heqje lirie dhe pezullimin e masës ndëshkimore për arsye shëndetësore, me kusht që të paraqitet pranë shërbimit të provës për katër vjet.
Përfaqësuesi ligjor i Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit, Geni Gjyzari, u qëndroi gjatë konkluzioneve përfundimtare pretendimeve të parashtruara gjatë gjithë seancave se, hetimi i kryer ishte i paligjshëm dhe se aktet e prokurorisë për rrjedhojë janë të papaërdorshme. Ai evidentoi se nuk ishte kompetencë e Prokurorisë së Vlorës për kryerjen e hetimeve të tilla, por e SPAK-ut. Po ashtu, konstatoi se përgjimet dhe vëzhgimet e policisë ishin kryer me iniciativë, pëparara se të nxirrej një urdhër nga prokuroria. Për prokurorët që kishin hetuar çështjen në Vlorë, tha se ishin zgjedhur duke shmangur shortin.
Sipas Gjyzarit, dëshmitarët mbi të cilët ishte bazuar hetimi, vëllezërit Arsen dhe Avdul Rama, kishin dhënë disa deklarime kontradiktore e të rreme. Sipas tij, fakti se dëshmitari Arsen Rama ishte paguar nga policia, përbënte një vepër penale, pasi një bashkëpunëtor i prokurorisë nuk mund të paguhet. Gjyzari shpjegoi se paguhen vetëm informatorët e policisë dhe jo bashkëpunëtorët apo dëshmitarët e prokurorisë. Sipas avokatit, dukej se gjithë veprimet e kryera nga policia dhe prokuroria e Vlorës kishin pasur si qëllim pengimin e Belerit për të fituar zgjedhjet vendore për Bashkinë e Himarës, gjë që u theksua dhe nga vetë i pandehuri.