Të kthyer nga emigrimi më shumë se 20 vite më parë, dy vëllezër nga fshati Dërmenas i Fierit e përqendruan eksperiencën e marrë jashtë shtetit në një punishte të përpunimit të qumështit, të cilin e grumbullojnë nga fermerët e zonës.
Me kalimin e viteve, punishtja e hapur nga babai i tyre si një nevojë familjare arriti të përpunojnë deri në 1,500 litra qumësht në ditë.
“Kemi një ndarje të mirë të punëve dhe gjatë verës angazhojmë edhe fëmijët. Qumështin e sigurojmë këtu në zonë, pasi zona jonë është blegtorale. Kapaciteti i prodhimit gjatë verës është rreth 600-800 litra në ditë, ndërsa në pranverë, kur kemi edhe qumështin e deles, shifra dyfishohet. Jemi të kënaqur që punojmë në shtëpinë tonë dhe jemi të gjithë bashkë”, u shprehën vëllezërit Gega.
Të fokusuar në cilësinë e prodhimit, Klodiani dhe Besmiri vënë theksin te nevoja për mbështetje nga shteti në formën e subvencioneve për fermerët që merren me blegtori. Sipas tyre, një mbështetje e tillë do të rriste prodhimin e qumështit, duke siguruar në këtë mënyrë produkte cilësore për konsumatorët dhe një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.