“Një sezon për t’u mbajtur mend”, Balluku flet me shifra

Shqipëria

“Një sezon për t’u mbajtur mend”, Balluku flet me shifra

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 11:44
Belinda Balluku

Një sezon për t’u mbajtur mend, kështu e ka konsideruar zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, sezonin turistik të këtij viti, që sikundër u shpreh nuk është mbyllur ende.

Balluku tha se shumë shpejt do të prezantohet projekti turistik për turizëm edhe në qytetin e Bulqizës, ndonëse një qytet me histori të trishta.

“Doja të ndaj me ju një zonë turistike si Bulqiza. Bulqiza e minierave, e historive të trishta, e halleve të mëdha, pas pak ditësh së bashku me Blendin dhe me Dritan Agollin, nga Fondi Shqiptar e Zhvillimit, ne do të prezantojmë një nga projektet më të mëdha dhe  më inovatore të turizmit shqiptar, I cili nuk ka të bëjë as me zonat malore dhe as me zonat fushore, por bregdetare, por ka të bëjë me një zonë minerare e cila do të rivitalizojë dhe do të ngrejë në një nivel tjetër një aset të vjetër të ushtrisë shqiptare, të quajtur, Divizioni. Do ndërtojmë një muze që do përfshijë brenda, muze, hoteleri dhe do jetë e aksesueshme për 30 minuta sepse tashmë do kemi edhe tunelin e Murrizit.

Shqipërinë e ka bekuar Zoti me aq shumë bukuri sa kudo mund të ndërtohen nukla turistike secila ndryshe nga tjetra. Ka qenë sezon për tu mbajtur mend. 2025 do jetë edhe më i fuqishëm si sezon.
Mund të themi fjalë por ato që mbeten janë shifrat. Sezoni s’ka mbaruar akoma. Zyra ime, MIE ndodhet në sheshin Skënderbej, janë dy momente gjatë ditës, një kur duhet të dal gjatë ditës, ku ka qindra turistë, dhe tjetra kur nga sallat e mbledhjeve dëgjon zërin e ciceronëve tek flasin për historinë e vendit tonë, ndërsa sheh mosha të ndryshme. Flukset e turistëve janë të paparashikueshme edhe nga vete ne.

Kur nisëm punën kemi patur edhe disa parashikime, si numri automjeteve që do përshkonin rrugët e reja apo turistët nga ajri. Por të gjitha janë tejkaluar me disa fish. Vetëm në 9 muaj, janë 8 mln 250 mijë ose 53.7% më shumë se 2023. Krahasimet tona janë nga viti në vit, jo me pesë vjeçar. Janë përpunuar 53 120 avionë, 44.5% më shumë krahasuar me 2023. Parashikimet deri në fund të vitit janë 10.4 mln pasagjerë. Por jemi të sigurt se edhe kjo shifër do tejkalohet. 69 mijë fluturime parashikojmë të mbyllet ky vit. Në një ditë të vetme kemi patur 45 100 pasagjerë.

Numri i destinacioneve ka ndryshuar, gjithashtu. Kemi patur këtë vit 136 destinacione të reja. Gjithë ky zhvillim ka ardhur i bazuar në një strategji të mirëfilltë kombëtare, që i kemi qëndruar pikë për pikë. Duhet thënë që edhe 2025 do ketë një sërë risish në infrastrukturë, por me rëndësi për MIE është dorëzimi i aeroportit të Vlorës, ku ne synojmë të kemi edhe udhëtime transoqeanike që nuk do limitojnë më as numrin e turistëve.

Kemi dorëzuar 44.5 km rrugë të reja, autostrada të kategorisë A. Këtë vit, ne hapëm rrugën Thumanë-Kashar për përdorim, nga data 28 qershor në mbrëmje, deri në 30 shtator në këtë aks kanë kaluar 2 mln e 700 mijë automjete, një shifër rekord edhe për autostradat e rajonit. Nga tuneli i Llogarasë 715 198 automjete. Janë shifra që janë përgjigjja e vetme për ata që baltosin një vend që po lulëzon në turizmin botëror. ‘Maldivet e Europës’ është shpikur nga mediat e huaja, nuk e kemi vënë ne.” u shpreh Balluku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat