Zgjedhjet e 11 majit/ Partitë politike nënshkruajnë Kodin e Etikës për Fushatat Digjitale

Shqipëria

Zgjedhjet e 11 majit/ Partitë politike nënshkruajnë Kodin e Etikës për Fushatat Digjitale

Më: 25 mars 2025 Në ora: 18:58
Partitë politike nënshkruajnë Kodin e Etikës për Fushatat Digjitale

Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë nënshkruar sot Kodin e Etikës për Fushatat Digjitale në Shqipëri. Kjo marrëveshje synon të promovojë standardet etike dhe të luftojë dezinformimin në zgjedhje.

Ky kod është një angazhim i përbashkët për një mjedis digjital të ndershëm, ku konkurrenca politike zhvillohet mbi parime të etikës dhe integritetit.

Ai u hartua në bashkëpunim me NDI Albania - National Democratic Institute, International IDEA dhe Qendrën e Sundimit të Ligjit në University of Helsinki duke u bazuar në përvoja të suksesshme nga zgjedhjet evropiane të vitit 2024 dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, falënderoi subjektet politike për mbështetjen e kësaj nisme dhe nënvizoi rëndësinë e një gare të ndershme e me standarde etike

Drejtuesja e Qendrës për Sundimin e Ligjit, znj. Tuija Brax, theksoi se ky është një instrument vullnetar, por një mundësi për partitë që t’u tregojnë votuesve seriozitetin e tyre.

Znj. Blerta Hoxha nga International IDEA, përgëzoi partitë për këtë hap, duke e krahasuar atë me standardet që ndjekin partitë simotra në Parlamentin Europian.

Drejtuesja e NDI, znj. Ana Kovacevic Kadovic, e cilësoi këtë nënshkrim si një dëshmi të fuqisë së bashkëpunimit midis institucioneve, partive dhe partnerëve ndërkombëtarë.

KQZ konsideron se ky angazhim është një hap i rëndësishëm drejt një fushate të ndershme, të pastër dhe të përgjegjshme në sferën digjitale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat