Media italiane “La Stampa”, duke iu referuar Partisë Demokratike të Italisë, denoncon zhdukjen e 15 emigrantëve të zhvendosur në qendrën e pritjes në Gjader, Shqipëri.
Sipas raportimit, nga 41 emigrantë të transferuar fillimisht, aktualisht kanë mbetur vetëm 25.
Eurodeputetja Cecilia Strada, pas një inspektimi të zhvilluar të shtunën dhe të dielën e kaluar, përshkroi situatën në këtë qendër si “një ferr krahasuar me qendrat italiane” dhe një “shpërdorim të turpshëm”.
Ajo theksoi se emigrantët po mbahen në kushte të papranueshme dhe se mungesa e transparencës është alarmante.
“Në një moment kur vëmendja botërore ishte përqendruar te vdekja e Papa Françeskut, qendra e Gjaderit po boshatisej në heshtje. Askush nuk do ta kishte kuptuar këtë situatë nëse unë nuk do të kisha kryer një inspektim të ri”, citohet Strada nga “La Stampa”.
Sipas saj, pamjet dhe dëshmitë nga terreni përshkruajnë një realitet të “dhimbshëm, dëshpërues dhe skandaloz, që të bën të ndihesh i turpëruar”.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime të reja për respektimin e të drejtave të emigrantëve dhe mënyrën e administrimit të qendrave të pritjes jashtë territorit italian.