Fushata për 11 majin/Tabaku: Mungesa e debatit nga mazhoranca, fatkeqësi

Shqipëria

Fushata për 11 majin/Tabaku: Mungesa e debatit nga mazhoranca, fatkeqësi

Më: 29 prill 2025 Në ora: 15:08
Jorida Tabaku

Kandidatja e Partisë Demokratike për deputete në listën e hapur të Tiranës, Jorida Tabaku, ka theksuar rëndësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët në fushatën për zgjedhjet e 11 majit, gjatë një interviste në News24.

“Në këtë fushatë, kontakti njerëzor ka qenë kryesor,” u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se realiteti në terren është shpesh shumë larg nga ajo që perceptohet në sallën e parlamentit. Sipas saj, dëgjimi i qytetarëve është thelbësor për të kuptuar problemet reale që ata përballen çdo ditë.

“Rotacioni politik nuk është një pritshmëri e politikës, por është kërkesë e njerëzve,” deklaroi ajo, duke shtuar se qytetarët kanë nevojë të ndihen të përfaqësuar dhe të dëgjuar, jo vetëm gjatë fushatës, por gjatë gjithë vitit.

Tabaku kritikoi ashpër mazhorancën për mungesën e përballjes dhe refuzimin e debatit publik, një praktikë që sipas saj dëmton rëndë demokracinë dhe i mohon qytetarëve të drejtën për të dëgjuar alternativat politike.

Nuk e kuptoj pse mazhoranca i ikën debatit. Është një fatkeqësi e jashtëzakonshme,” theksoi ajo, duke shtuar se qytetarët meritojnë një diskutim të hapur për të ardhmen, ku çdo forcë politike të paraqesë qartë ofertën e saj.

Në prag të 11 majit, Tabaku ka intensifikuar takimet me qytetarët, duke e cilësuar këtë si mënyrën më të ndershme për të bërë politikë: duke dëgjuar njerëzit në vend që të flasësh për ta nga larg.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat