Prej më shumë se 20 vitesh, mjeshtri Selami Rondo vijon të punojë me pasion, duke skalitur gur pas guri rrugët karakteristike të Gjirokastrës. Me çekanin në dorë dhe përkushtimin e trashëguar brez pas brezi, ai i jep jetë kalldrëmeve që zbukurojnë qytetin-muze.
Skalitja e gurit është një zanat i vjetër, që Selamiu e ka trashëguar nga të parët e tij. Ai ka kontribuar në ndërtimin e shumë rrugëve të qytetit, duke lënë gjurmën e tij në çdo lagje ku ka punuar.
“Kemi një lidhje, një trashëgimi familjare me këtë zanat, kemi pasur edhe ustallarë të tjerë të moçëm si Xhemali Rondo, se edhe unë jam nga ky fis dhe e dyta, është që më pëlqen, dua edhe unë të jap një ndihmesë përderisa më pëlqen ky zanat dhe e ushtroj, të japë edhe një ndihmesë timen se është një zanat pothuajse në zhdukje”,-thotë Rondo.
Banorët dhe turistët e admirojnë mjeshtërinë e tij. Rrugët me kalldrëm jo vetëm që i japin hijeshi qytetit, por edhe ruajnë shpirtin e vërtetë të Gjirokastrës.
Por mjeshtri Rondo ka edhe një apel: që kjo traditë shekullore të mos mbetet vetëm në duart e pak vetëve. Ai thotë se është koha që të rinjtë ta mësojnë këtë art, në mënyrë që historia e gurtë e Gjirokastrës të mos humbasë.Rrugët me kalldrëm janë kujtesa e gjallë e një qyteti që e ka shkruar historinë e tij mbi gur përgjatë viteve të fundit. Shumë prej këtyre kalldrëmeve janë betonizuar, duke humbur vlerat dhe trashëgimië..