Policia e Kurbinit arrestoi në flagrancë një 26-vjeçar, i dyshuar për dy vjedhje të kryera në qytetin e Laçit, brenda një harku kohor prej 24 orësh.
“Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit A. B., për vjedhjen e automjetit të tij tip “Mercedes-Benz”, të parkuar në qytetin e Laçit, Policia organizoi veprimet hetimore për lokalizimin e automjetit dhe identifikimin e autorit.
Falë informacioneve të grumbulluara, automjeti u lokalizua në qytetin e Mamurrasit, ku u kap në flagrancë edhe autori i dyshuar, F. D., 26 vjeç, banues në Laç, në momentin që po tentonte të largohej me automjetin, me qëllim shitjen e tij në një qark tjetër. Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se po ky shtetas, më datë 13.06.2025, kishte thyer xhamin e një automjeti tjetër, në pronësi të shtetasit B. K., të parkuar në Laç, dhe kishte vjedhur disa sende në brendësi të tij”, bëri me dije policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë 26-vjeçari F. D., për veprat penale “Vjedhja”, dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.