Një tjetër turist, ka përfunduar në spital, si pasojë e një aksidenti me jet ski në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, kur një shtetas belg, H.K., 21 vjeç, është shoqëruar fillimisht në Spitalin Rajonal Durrës, e më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Sipas njoftimit të uniformave blu, dyshohet se i riu belg ka kryer manovra të rrezikshme me jet ski, duke humbur kështu kontrollin mbi mjetin lundrues dhe duke rënë në ujë.
Pronari i mjetit lundrues, shtetasi S.Xh., është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.
Sakaq, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
“Rreth orës 20:00, shërbimi i Urgjencës së Spitalit të Durrësit ka njoftuar se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi belg H. K., 21 vjeç.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në spital dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit, ky shtetas dyshohet se gjatë manovrave ka humbur kontrollin mbi një mjet lundrues (Jet Ski) dhe ka rënë në ujë.
Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime të rënda dhe nga Spitali Rajonal i Durrësit është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, njofton policia.
Ky është rasti i dytë brenda ditës që një turist në vendin tonë përfundon në spital për shkak të këtyre aksidenteve ujore.
Në mesditë, ka qenë një turist gjerman, 46-vjeçar, i cili u dëmtua duke notuar në Gjipe, Himarë, nga një gomone. I huaj ka qenë duke bërë zhytje, kur u godit nga gomonia.
Këto raste, padyshim ngrejnë pikëpyetje mbi sigurinë e vendasve dhe të huajve në brigjet shqiptare nga mjetet lundruese.