Restaurohet manastiri 400-vjeçar në Lunxhëri, rijetësohen artefaktet

Shqipëria

Restaurohet manastiri 400-vjeçar në Lunxhëri, rijetësohen artefaktet

Më: 26 qershor 2025 Në ora: 18:50
Foto ilustrim

Manastiri 400-vjeçar i Spilesë në zonën e Lunxhërisë i është nënshtruar restaurimit dhe kthimit në identitet të vlerave religjioze dhe të trashëgimisë kulturore.

Ky objekt prej vitesh ishte gjysmë i rrënuar ndërkohë që projekti i restaurimit mundëson rijetësimin e elementëve dhe artefakteve, pjesë e arkitekturës së veçante të manastirit.

“Ky manastir daton në shekullin e XVII, ka përfunduar restaurimi i çatisë së hajatit dhe po punohet në çatinë e narteksit, problematikat kanë qenë të mëdha, ky manastir rrezikonte deri dhe shembjen por  kjo ndërhyrje po e sjell në identitet”, thotë Ardis Duka, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore.

Krahas evidentimit dhe rijetësimit të vlerave historike dhe ndërtimore të manastirit restaurimi synon kthimin e tij në një pikë të vizitueshme nga turistët të cilët shprehin interes dhe kërshëri për këtë objekt me moshë mbi 400-vjeçare.

“Ka ngjallur shpesh interesimin e vizitorëve por gjendja e këtij objekti ka qenë deri diku për të dëshiruar, aktualisht me këtë ndërhyrje këtij manastiri do ti kthehen dhe vlerat të cilat i ka pasur, por ka pasur rrezikshmëri për vizitorët, kërkesat dhe interesi i vizitorëve është i madh për këtë objekt por duke pasur parasysh largësinë e tij gjeografike nga rruga kryesore normalisht numri i vizitorëve është i ulët”, shprehet ai.

Përgjatë kësaj periudhe në rajonin e Gjirokastrës është ndërhyrë për restaurimin e objekteve të kultit që prezantojnë vlera historike dhe të trashëgimisë kulturore, si Xhamia e Pazarit apo edhe Teqeja e Melanit.

Tashmë turizmi religjioz po tërheq gjithmonë e më shumë të interesuar në rajonin e Gjirokastrës duke i kthyer objektet e kultit në pika të preferuara për turistët vendas dhe të huaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat