Kapja e skafit në Sarandë, policia zbulon detaje: Trafik ndërkombëtar i mjeteve lundruese nga Greqia në Shqipëri, një i arrestuar, tre në kërkim

Shqipëria

Kapja e skafit në Sarandë, policia zbulon detaje: Trafik ndërkombëtar i mjeteve lundruese nga Greqia në Shqipëri, një i arrestuar, tre në kërkim

Më: 30 qershor 2025 Në ora: 10:06
Foto ilustrim

Policia e Sarandës ka finalizuar moperacionin policor të koduar “Silent Crossing”, në kuadër të të cilit është zbuluar dhe dokumentuar një rast i trafikut të paligjshëm të mjeteve lundruese nga Greqia drejt Shqipërisë.

Operacioni u zhvillua pas një kallëzimi të bërë nga një shtetas grek, i cili njoftoi se gjatë natës së 28 qershorit, në ishullin e Korfuzit i ishin vjedhur dy mjete lundruese, një gomone dhe një skaf. Ai dyshonte se këto mjete ishin trafikuar në territorin shqiptar.

Pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit D. D., 23 vjeç, banues në Gjashtë, Sarandë.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë:

D. J., 48 vjeç, banues në Sarandë

A. J., 24 vjeç, banues në Sarandë

A. K., 48 vjeç, banues në Tepelenë

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, katër shtetasit e mësipërm dyshohet se kanë marrë pjesë në vjedhjen e dy mjeteve lundruese në Korfuz dhe më pas i kanë trafikuar ato në Shqipëri, konkretisht në Sarandë.

Gjatë kontrolleve të kryera në vijim të operacionit, një prej mjeteve lundruese të vjedhura u gjet i fshehur në një parcelë në fshatin Vrion të bashkisë Finiq. Mjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një kamion që dyshohet se është përdorur për transportimin e mjeteve nga bregdeti drejt parcelës.

Policia vijon punën për kapjen e të shpallurve në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat