Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka folur sot lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj kreut të PL, Ilir Meta duke theksuar se Prokuroria e Posaçme nuk ka paraqitur asnjë fakt penal dhe se Meta po mbahet në burg padrejtësisht.
Në një intervistë për News24, Tedi Blushi është shprehur se Ilir Meta ndodhet në burg për shkak të firmës së Endrit Braimllarit. Gjithashtu nuk la pa mërpenduar dhe raportin e OSBE-së lidhur me parlamentaret e zhvilluara më 11 Maj, duke theksuar se këto zgjedhje ishin një terror i pastër elektoral.
"Procesi zgjedhor “u ekzekutua” nga Edi Rama. Edhe OSBE ka vlerësuar se zgjedhjet kanë pasur probleme. Zgjedhjet ishin terror i pastër elektoral. Liderët e opozitës janë vënë nën akuza, që janë qesharake. Ishte terror, që shkallmoi standardin e zgjedhjeve. Vota u vra pa hyrë në kuti.
Para rrëmbimit të Ilir Metës, izoluan edhe Sali Berishën. Dosja e SPAK ndaj Metës nuk ka një fakt. Ndaj Ilir Metës nuk ka një fakt penal. SPAK orienton gazetarët në fakte të pavërteta. Edi Rama duhej të dënohej për lobime. Meta nuk ka shkelur ligje në Amerikë. Në SHBA janë dënuar njerëz për fotot e Ramës.
Për rastin që Meta akuzohet, nuk ka person të dënuar apo kompani që përmendet. Endrit Braimllari hyri në SPAK me teserën e PL-së dhe doli me teserën e PS-së. Nuk ka karakter dhe as fytyrë. Edhe Hamzai ka qenë shumë luftarak, nëse marrim këtë krahasim që paska qenë luftarak kur ka qenë me ne.
Meta në izolim ekstrem ndodhet për firmën e Braimllarit. Është personazh dhe qesharak, edhe tragjik. Nuk është as politikan. Endrit Braimllari u transformua rrugës. Është peng i së kaluarës së vet. Ilir Meta është në top formë, e shqetëson e ardhmja e Shqipërisë", tha Blushi.