Bashkitë opozitare i drejtohen institucioneve evropiane: Garantoni autonominë lokale

Shqipëria

Bashkitë opozitare i drejtohen institucioneve evropiane: Garantoni autonominë lokale

Më: 14 korrik 2025 Në ora: 13:01
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë

Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, e përbërë nga bashkitë opozitare dhe e kryesuar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, i është drejtuar me një raport institucioneve ndërkombëtare, mes tyre Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe ambasadave të huaja në vend. Në dokument ngrihen shqetësime mbi marrëdhënien mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor në Shqipëri.

Sipas të zgjedhurve vendorë, qeveria ka ndërmarrë ndër vite veprime që, sipas tyre, kanë cënuar kompetencat, burimet financiare dhe funksionimin e bashkive. Ata e konsiderojnë këtë situatë si pengesë për zbatimin e standardeve evropiane për vetëqeverisjen vendore.

Në raport thuhet se “ndryshimet ligjore dhe praktikat e zbatuara nga qeveria kanë kufizuar ndjeshëm autonominë e bashkive, duke ndikuar negativisht në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët, si menaxhimi i mbetjeve, shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve dhe infrastruktura vendore”.

Të zgjedhurit vendorë kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve evropiane për të garantuar respektimin e Kartës Evropiane të Autonomisë Lokale, një dokument që përcakton standardet për marrëdhëniet midis pushtetit qendror dhe atij vendor në vendet anëtare të Këshillit të Evropës.

Kërkesa e kryebashkiakëve opozitarë vjen pas lëvizjeve të fundit të këryeministrit Rama i cili ka kërkuar nga krerët e bashkive që të rifreskojnë stafit dhe të shkarkojnë të gjithë drejtorët e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat