Emanilda Rama, Valbona Rama dhe Çlirim Dogani do të qëndrojnë në burg deri në mbylljen e hetimeve për vrasjen e 55-vjeçarit Anesti Rama, pak ditë më parë në fshatin Frashër të Patosit. Të tre dolën këtë të hënë para Gjykatës së Fierit për masën e sigurisë, ku trupa gjykuese vendosi arrest me burg pa afat për 3 të dyshuarit si autorë të ngjarjes së rëndë. Në përfundim të seancës, avokati Kastriot Dyrmishi deklaroi se të tre të dyshuarit kanë dhënë deklarata kontradiktore në seancë dhe se kanë mohuar se janë autorë të ngjarjes.
Emanilda Rama (vajza e viktimës), Valbona Rama (bashkëshortja e tij) dhe Çlirim Dogani u lanë në burg. Të tre akuzohen se kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimit, i cili fillimisht u paraqit nga familjarët si një vdekje natyrale.
Dyshohet se vajza fillimisht e ka goditur babanë e saj me sende të forta dhe, pasi ai ka rënë në tokë, Dogani e ka mbajtur nga duart teksa ajo e mbyste me tel. Po ashtu dyshohet se ata kanë përdorur edhe mjete prerëse. Ndërkohë, nëna e 26-vjeçares ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve dhe pastrimin e gjakut nga trupi i viktimës. Krimi është zbuluar nga përgjimi i telefonit, ku 26-vjeçarja pas ngjarjes ka komunikuar me bashkëpunëtorin e saj, Çlirim Doganin, që dyshohet se kishte lidhje intime me Emanilda Ramën. 55-vjeçari Dogani, banues në fshatin Arapaj, ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Ngjarja e rëndë shokoi mbarë opinionin publik, edhe për vetë dritëhijet me të cilat u shoqërua kjo ngjarje tronditëse për shkak të dëshmive kontradiktore.