Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin Pandora 2, si rezultat i hetimeve paralele në Shqipëri dhe Gjermani kundër mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet qendrave telefonike, raporton KosovaPress.
Pandora 2, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, në drejtimin e SPAK-ut, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe BKH-në, si dhe në koordinim me specialistë të Zyrës Kriminale të Landit Baden-Württemberg Gjermani, ka goditur grupin kriminal, i cili gjatë vitit 2024, mashtroi në platforma online, shtetas gjermanë, me dëm ekonomik mbi 360 mijë euro.
Gjatë operacionit janë kapur shtetasit E. S. (25), T. D. (29), R. G. (26), K. N. (24), M. Ll. (21) dhe L. Ç. (36), ndërsa shpallen në kërkim ndërkombëtar dy shtetas të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.
Nga hetimet dyshohet se tetë shtetasit, gjatë vitit 2024, duke kryer mashtrime të sofistikuara dhe të mirorganizuara, mashtrime bankare, mashtrime me karta, mashtrime në investime, nëpërmjet thirrjeve nga call center-a, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga shtetas gjermanë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të gjithë shtetasit e implikuar.