Një natë e gjatë dhe sfiduese është regjistruar në zonën e Finiqit, ku ekipet zjarrfikëse të bashkive Finiq, Delvinë, Konispol dhe Sarandë, të mbështetura nga 5 mjete zjarrfikëse dhe 70 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, kanë luftuar pa ndërprerje me disa vatra zjarri të favorizuara nga era e fortë.
Sipas ministrit i Mbrojtjes Pirro Vengu, flakët janë përhapur në fshatrat Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë dhe Krongj.
Për shkak të rrezikut, është kryer evakuimi i përkohshëm i banorëve në Livinë dhe Ardhasovë, ndërsa janë marrë masa për të ofruar asistencë mjekësore për personat e moshuar.
“Forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar,” theksoi ministri.
Në orët e para të mëngjesit, është zhvilluar një operacion i suksesshëm për të ndaluar përhapjen e flakëve që kërcënonin Hidrocentralin e Bistricës. Në zonë pritet të ndërhyhet edhe nga ajri për të garantuar shuarjen e plotë të zjarrit.
Autoritetet kanë njoftuar se, për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë–Bistricë do të mbetet i kufizuar deri në përfundim të operacioneve. Forcat në terren vijojnë kontrollin e çdo hapësire që mund të riaktivizohet nga era dhe temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë gjatë ditës së sotme.