Shqipëria në flakë! 34 vatra aktive, në terren 600 forca, 5 helikopterë e 1 avion

Shqipëria

Shqipëria në flakë! 34 vatra aktive, në terren 600 forca, 5 helikopterë e 1 avion

Më: 13 gusht 2025 Në ora: 11:10 Përditësuar në ora: 20:49 më 13.08.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Zjarret në vend, Rama: 34 vatra aktive, në terren 600 forca, 5 helikopterë e 1 avion

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në faqen e tij në Facebook ka treguar situatën nga zjarret në vend të mërkurën.

“Një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin

Gjatë 24 orëve të fundit:

34 vatra aktive.

13 të izoluara dhe të shuara.

Në operacione janë angazhuar:

Dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura.

Mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare.

5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë.

Qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve.

Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.

Gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë”, shkruan Rama.

Rama thotë se aktualisht janë 34 vatra aktive,  ndërsa në terren janë mbi 600 forca, 5 helikopterë dhe 1 avion italian.

“Pse Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës”? Përgjigjet Rama: Po vendet e rajonit që po përcëllohen?

“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje:

Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.”

“Përgjegjësit do japin llogari para Zotit”/ Situata kritike nga zjarret, Dom Gjergj Meta: Ju bëj thirrje nga zemra të gjithëve…

“Zjarret që në këto ditë po rrezikojnë jetën e banorëve, shtëpitë e tyre, florën dhe faunën që gjendet në male dhe në pyje, në pjesën më të madhe janë të qëllimshme. Ky është një krim që kërkon përgjigje para njerëzve e para Zotit.

Krijimi na është dhënë në roje dhe jo për ta prishur apo për të abuzuar me të duke e shkatërruar. Zjarret rrezikojnë edhe mundin dhe djersën e shumë njerëzve dhe familjeve të tyre. Kemi përgjegjësi të gjithë për të ruajtur si sytë e ballit çdo pëllëmbë vend tonin nga shkatërrimi.

Edhe në emër të të gjithë ipeshkvinjëve, ju bëj thirrje nga zemra të gjithëve, individë dhe institucione, të përballemi me situatën me veprime konkrete, por sidomos me shqyrtimin e ndërgjegjes tonë, në mënyrê që të dalim nga këto situata e të mos krijojmë të tjera.

Përgjegjêsve ju them se një ditë do të japim llogari para Zotit. Askush nuk ia ka pa hajrin abuzimit me ambientin, shkatërrimit të tij, pasi është njëkohësisht edhe shkatërrimi ynë e i të ardhmes tonë mbi planet. Thirrini zërit të ndërgjegjes, ndaleni dorën tuaj! Dërguesit dhe dorasët kanë përgjegjësi njësoj para njerëzve e para Zotit.

Për këtë kanë përgjegjësi edhe organet shtetërore që të mos jenë neglizhentë, por të forcojnë ruajtjen e pyjeve, të përmirësojnë dhe përforcojnë strukturat me mjete ndërhyrëse. Të merret më seriozisht kjo gjë se vjen shpejt edhe viti tjetër e duhet të shkojmë përtej retorikave.

Zoti bekoftë çdokend që e ka për zemër ruajtjen e mjedisit, të gjithë ata që në këto ditë po luftojnë me zjarret e qoftë pranë të dëmtuarve nga flakët. Me shpresën se sadopak këto fjalë do të dëgjohen i uroj secilit paqe në zemër e dashuri për këtë vend, për Shqipërinë tonë, që e kemi shumë të shtrenjtë.”

Kapen katër persona që ndezën zjarr në disa fshatra në Shqipëri

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, janë identifikuar dhe arrestuar 4 të dyshuar për zjarrvënie  në lagjen “Uznovë” dhe në fshatrat Osmëzezë dhe Drenovicë.

Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa dhe sera, si dhe u dogjën sipërfaqe toke dhe pemë frutore.

Në njoftim janë dhënë detaje edhe për autorët që u kapën dhe veprimet që dyshohet se i kanë kryer, si dhe pamjet që janë siguruar nga hetuesit policorë.

“Sh. D., 49 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në këtë lagje, ku si pasojë janë rrezikuar banesa dhe është djegur një sipërfaqe toke;

-Z. M., 56 vjeç, banues në fshatin Osmëzezë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në këtë fshat, ku si pasojë janë djegur sipërfaqe toke dhe pemë frutore në pronësi të 2 shtetasve.

*Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal arrestuan shtetasit S. M., 53 vjeç dhe L. B., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Samatic, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në fshatin Drenovicë, ku janë djegur pemë ulliri, si dhe është rrezikuar djegia e disa serave.” – thuhet në postim e Policisë në Facebook. 

 

Pamje të trishta! Banorët në Gramsh marrin lopët dhe bagëtitë t’i shpëtojnë nga zjarret

Këto pamje të trishta vijnë nga fshati Nartë i Gramshit, ku banorët Largohen nga banesat e tyre për t’i shpëtuar flakëve.

Me lot në sy nga banesat që po u digjen, ata marrin me vete edhe lopët e bagëtitë, të vetmet të ardhura ndërsa pamjet janë pa fjalë…

“Motrën e kam atje lart”/ Banori mes lotëve në Gramsh: Më dridhen gjunjët, zoti na shpëtoftë

Banorët e fshatit Nartë në Gramsh po largohen sot nga banesat e tyre të tmerruar pasi zjarri po u djeg banesat.

Me lot në sy, ata shprehen për gazetaren e Top Channel Bruna Kërçyku sesa të tronditur janë nga zjarri.

Disa prej tyre mundohen të shpëtojnë edhe kafshët, bagëtitë e lopët, si të vetmet burime që kanë për të ardhura.

“Ç’e dua jetën time?!”, flakët arrijnë në fshatin Nartë, gruaja lë banesën me lot në sy dhe largohet

Banorët e fshatit Nartë në Gramsh po largohen të tmerruar pas afrimit të flakëve që kanë pushtuar zonën.

Ata kanë marrë bagëtitë dhe po largohen me rrobat e trupit.

Përse nuk ikët më herët?

Ku të iki, unë do të digjem atje brenda,

Ça ke lënë atje lart?

Tërë plaçkat, siç kam punuar 70 vjet, ç’e desha jetën time.

Rama: Dënimin më të rëndë sipas ligjit për ata që ndezin zjarre qëllimisht

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi me anë të një statusi në rrjetet sociale në lidhje me situatën e zjarreve në vendin tonë.

Mbrëmja e 12 gushtit dhe mëngjesi i datës 13 mund të cilësohen si ndër më të vështirat që ka kaluar vendi për shkak të zjarreve që kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme thuajse në të gjithë vendin, shkruan A2.

“Falënderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë”, thotë Rama.

Më tej, kryeministri shqiptar shtoi se “ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”.

39 shtëpi të djegura në Skënderbegas të Gramshit! Flakët përfshijnë fshatin Nartë, banorët largohen të tmerruar

Zjarri i përmasave apokaliptike në Gramsh ka djegur 39 banesa në Skënderbegas.

Flakët vijuan pa ndërprerë edhe gjatë natës, ndërsa vijojnë të hapen vatra të reja zjarri duke dalë jashtë kontrollit.

Të gjitha ekipet e ushtrisë janë të përqendruar për evitimin e përhapjes së flakëve drejt fshatit Nartë, fshati më i populluar dhe nëse zjarri shkon aty, kalon në zonën e Sulovës dhe Cërrikut.

Për neutralizimin e flakëve po punohet me 7 zjarrfikëse, 2 helikopterë, 300 vullnetarë dhe 50 forca të spezializuara.

24 vatra zjarri aktive në vend/ Situatë e rëndë në Gramsh, digjen 5 banesa në Delvinë, vijon ndërhyrja nga ajri

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive.

Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit. Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin.

Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.

Situata në vatrat më problematike:

Qarku Vlorë – Bashkia Delvinë & Finiq

Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.

Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.

Qarku Elbasan – Bashkia Gramsh

Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.

Qarku Gjirokastër – Bashkia Tepelenë

Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.

Qarku Shkodër – Bashkia Fushë Arrëz

Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.

Qarku Tiranë

Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.

Qarku Dibër

Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.

Qarku Korçë – Bashkia Kolonjë

Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.

Puna po vijon ndërkohë edhe në vatrat, ku nuk ka rrezik për banesa apo gjënë e gjallë.

Parashikimi i motit dhe rrezikshmëria për zjarre

Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat