​Paketa e Maleve, Elbasani miraton 4 zona të reja zhvillimi

Shqipëria

​Paketa e Maleve, Elbasani miraton 4 zona të reja zhvillimi

Më: 1 tetor 2025 Në ora: 18:44
Foto ilustrim

Këshilli Bashkiak i Elbasanit aprovoi sot shpalljen e 4 zonave prioritare për zhvillim si pjesë e nismës qeveritare “Paketa e Maleve”, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në zonat malore të Shqipërisë.

Ky vendim bazohet në ligjin “Për Paketën e Maleve” si dhe në udhëzimet përkatëse të miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se zonat e përzgjedhura janë njësitë administrative Gjinar, Funar, Tregan dhe Shushicë të cilat përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik e mjedisor për qytetin dhe rajonin. Ai u shpreh se prioritet mbetet zhvillimi i qëndrueshëm dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore në shërbim të qytetarëve dhe rajonit, raporton KosovaPress.

“Elbasani ka gjithçka për t’u kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik, dhe ne po i hapim rrugë këtij zhvillimi”, tha Llatja.

Gjinari, i njohur si “xhevahiri natyror” i Elbasanit, ofron potencial për zhvillimin e turizmit malor, ekoturizmit dhe përpunimit të bimëve mjekësore. Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale, shihet si një destinacion i ardhshëm për turizëm kulturor, rural dhe sporte e aventurës. Ndërsa Tregani, me ujërat termale, mbetet një atraksion i veçantë për turizmin shëndetësor e relaksues.

Aktualisht zona më e frekuentuar e Elbasanit me mbi 9 mijë vizitorë çdo vit. Ndërsa Shushica, vetëm pak kilometra nga qyteti, konsiderohet një zonë me potencial për turizëm familjar, bujqësi dhe kulinari tradicionale. Një zhvillim më të madh Shushica pritet të marrë në vijim teksa bëhet zona më e afërt me autumotoparkun dhe korridorin e tetë, i cili do të ndikojë direkt në zonën e Shushicës dhe jo vetëm.

Aplikimet për “Paketën e Maleve” do të vijojnë përgjatë gjithë vitit për qytetarët dhe emigrantët që duan të investojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fillim të gushtit në qarkun e Elbasant ka pasur 348 aplikime.

Aplikimet mbeten të hapura deri në fund të vitit 2025, ndërsa 500 aplikantët e parë do të përfitojnë lehtësira fiskale për 10-vjet, thuhet në një njoftim në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat