Hekurudha Durrës-Rrogozhinë nis operimin në vitin 2028

Shqipëria

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë nis operimin në vitin 2028

Më: 2 tetor 2025 Në ora: 16:44
Foto nga vendngjarja

Rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë pritet të përfundojë në vitin 2028, njoftoi sot zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Enkelejda Muçaj.

Komisioni për Çështje Ligjore dhe Administratë Publike diskutoi sot mbi marrëveshjen e grantit të BE-së prej 60.5 milionë eurosh për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, një nyjë e rëndësishme kjo e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, raporton ATSH.

Investimi kap vlerën e 120.5 milionë eurove dhe do të mbulohet me grant nga BE-ja dhe kredi në shumën 30 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe 30 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve.

Muçaj theksoi se investimi në segmentin hekurudhor Durrës-Rrogozhinë, 34 km i gjatë, përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri dhe konsolidimit të Korridorit VIII.

“Ky grant është mbështetje për Korridorin VIII, i cili lidh Italinë me bregun lindor të Bullgarisë dhe Detin e Zi”, tha ajo.

Po ashtu, është pjesë e planit për zhvillimin e infrastrukturës multimodale në vend. Ky projekt, sipas saj, kryen lidhjen direkte midis Rrogozhinës, Lekajt, Kavajës, Golemit, Tiranës dhe Durrësit, si dhe integrimin me linjën hekurudhore Tiranë-Durrës dhe aeroportin. Po ashtu, kryhet ndërlidhja me projektin Vorë-Hani i Hotit që është në fazë zbatimi dhe segmentit që lidh Rrogozhinën me Pogradecin, duke përfshirë edhe pjesën që lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe më pas me Bullgarinë, e cila do të mundësojë një lidhje më të fortë midis Bashkimit Evropian dhe Evropës Lindore.

Përveç grantit, projekti shoqërohet edhe me një kredi prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve, që do të ndihmojë në modernizimin e linjës hekurudhore prej 34 kilometrash.

Gjithashtu, për realizimin e plotë të projektit do të akordohet edhe një kredi prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si pjesë integrale e paketës së financimit prej 120.5 milionë euro.

Linja hekurudhore do të elektrifikohet dhe do të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, duke mundësuar udhëtime me tren me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, transmeton KosovaPress.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat