Baçi: Gjykata Kushtetuese duhet të përshpejtojë vendimin për dekretin!

Shqipëria

Baçi: Gjykata Kushtetuese duhet të përshpejtojë vendimin për dekretin!

Më: 3 tetor 2025 Në ora: 15:30
Agim Baçi

Gjykata Kushtetuese duhet të përshpejtojë vendimin e saj dhe madje duhet të ishte shprehur në lidhje me ankimimin për dekretin e presidentit Bajram Begaj dhe zgjedhjet e Tiranës, kurse opozita duhet ta kishte shpallur shumë më herët kandidatin e saj për kryeqytetin, madje që pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, më 10 shkurt.

Kështu u shpreh analisti dhe gazetari Agim Baçi gjatë një interviste ditën e sotme në “News 24” për zhvillimet e fundit politike.

“Gjykata Kushtetuese të përshpejtojë vendimin. Ajo e ka tagrin brenda dy javësh, por në rastin konkret duhet të kishte vepruar më shpejt. Nëse e rrëzon nuk është fundi i botës sepse është dekret i presidentit. Por edhe nëse e rrëzon nuk është problem, shpallet një datë tjetër dhe kaq. Opozita duhet ta kishte pasur prej kohësh kandidatin e saj”, tha ai mes të tjerash.

Analisti ka komentuar edhe situatën e opozitës lidhur me zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, opozita ka vepruar me vonesë. Ai kritikoi mungesën e një vendimi formal nga kryesia dhe theksoi se emrat e propozuar nuk vijnë nga forumet e PD-së, gjithsesi përcaktoi se me rëndësi ishte që të dilej në një figurë përbashkuese.

“Për zgjedhjet për Tiranën, vendimin e jep Kushtetuesja. Ne duhet të mësohemi me  vendimin e tyre dhe Gjykata Kushtetuese duhet të përshpejtojë vendimin. Formalisht kryesia duhet të kishte marrë një vendim. Vendimi për të pasur një grup që kryeson është marrë pa një vendim. Mund të them se është vonë, dhe opozita duhet ta kishte pasur prej kohësh kandidatin pas arrestimit të Erion Veliajt. Kandidati Florian Haçkaj u mor me të drejtën e diasporës për të votuar. Tre emrat e propozuar për kandidat, nuk janë nga forumet e PD”, tha ai.

Baçi shtoi gjithashtu se beteja elektorale do të jetë e vështirë dhe opozita duhet të ndërtojë një aleancë të gjerë me qytetarët.

“Beteja do të jetë e vështirë, pasi zgjedhjet janë të pjesshme. Mendoj se dalja e emrave mund të jetë një moment i rëndësishëm për opozitën, dhe mund të kërkojë edhe një aleancë me qytetarët. Në debatin politik, tre emrat e propozuar janë të mirëpritur. E rëndësishme është që opozita të gjejë një zgjidhje për kandidatin e Tiranës”, përfundoi analisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat