Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, kërkon hetimin e ish-ministrave të Brendshëm për dështimin e sigurisë së ruajtjes së gjykatave de njerëzve të drejtësisë nga Policia, që solli edhe ngjarjen e rëndë ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku u vra magjistrari Astrit Kalaja në krye të detyrës.
Anëtari i Kryesisë së PD-së kërkon gjithashtu dorëheqjen e ministres aktuale Albana Koçiu, e cila dje tha se Policia nuk kishte përgjegjësi për ruajtjen e gjykatave.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Salianji komenton shkresën e KLGJ, e cila u bë publike sot lidhur me marrjen e masave nga Policia e Shtetit pranë gjykatave.
“Pas publikimit të shkresave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është e qartë se zinxhiri institucional që duhej të garantonte sigurinë e trupës gjyqësore ka dështuar. Ish-ministrat e Brendshëm duhet të merren menjëherë nën hetim për shpërdorim detyre, ndërsa ministrja aktuale e Brendshme duhet të japë dorëheqjen pa vonesë”, shprehet ish-deputeti.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, teksa gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit me tre plumba pistolete nga Elvis Shkambi, ky i fundit palë në një proces gjyqësor pronësie.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit në Facebook:
“Pas publikimit të shkresave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është e qartë se zinxhiri institucional që duhej të garantonte sigurinë e trupës gjyqësore ka dështuar.
Ky dështim nuk është rastësor është pasojë e një qeverisjeje që prej vitesh ka shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës.
Ish-ministrat e Brendshëm duhet të merren menjëherë nën hetim për shpërdorim detyre, ndërsa ministrja aktuale e Brendshme duhet të japë dorëheqjen pa vonesë.
Kjo është përgjegjësi ligjore dhe morale, në një vend ku siguria e gjyqtarëve po cenohet nga paaftësia dhe mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin.
Qeveria ka lënë me vetëdije të pambrojtur gjyqtarët dhe prokurorët, duke u fshehur pas justifikimeve të turpshme se “nuk ka përgjegjësi”.
Në të vërtetë, ajo është përgjegjësja kryesore për krijimin e klimës së frikës dhe konfliktit social,lejimin e qarkullimit lirisht të armëve dhe personave të rrezikshëm, zhveshjen e policisë nga autoriteti dhe shndërrimin e saj në një instrument partie, dorëzimin e territorit në duart e bandave dhe strukturave kriminale.
Ky është momenti për përgjegjësi politike, hetim penal dhe veprim institucional jo për heshtje dhe justifikime. Kur gjyqtari vritet në zyrë, bie besimi te shteti”.