​Projektligji i ri për rezervat e naftës, Shqipëria garanton furnizimin dhe rrit sigurinë energjetike

Shqipëria

​Projektligji i ri për rezervat e naftës, Shqipëria garanton furnizimin dhe rrit sigurinë energjetike

Më: 8 tetor 2025 Në ora: 18:32
Foto ilustrim

Qeveria e Shqipërisë ka finalizuar dhe pret të paraqesë për miratim në Kuvend projektligjin “Për Krijimin, Mbajtjen dhe Menaxhimin e Rezervave Minimale të Sigurisë të Naftës Bruto dhe Nënprodukteve të Saj”.

Ky akt ligjor vjen si një detyrim i Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe synon të rrisë ndjeshëm sigurinë e furnizimit me karburant në vend.

Objektivi kryesor është garantimi i rezervave të naftës për të përballuar mungesat ose reduktimet e papritura të furnizimit të tregut, raporton RTSH, përcjell KosovaPress.

Projektligji parashikon krijimin e një Autoriteti të ri (ARS), i cili do të jetë institucioni përgjegjës për krijimin, mbajtjen dhe përdorimin e rezervave të sigurisë. Ky autoritet do të jetë person juridik publik, jofitimprurës dhe jo buxhetor, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Targeti final i Shqipërisë, sipas kërkesave të Direktivës 2009/119/KE, do të jetë mbajtja e rezervave të barabarta me të paktën 90 ditë importe mesatare neto ose 61 ditë konsumi mesatar ditor i brendshëm, cilado qoftë sasia më e madhe.

Këto rezerva nuk do të krijohen menjëherë, por gradualisht dhe në mënyrë proporcionale, bazuar në një Plan Veprimi që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Një nga pikat kyçe të projektligjit ka të bëjë me financimin e këtij detyrimi të ri. Kostot për krijimin, ruajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë do të mbulohen përmes vendosjes së një tarife të posaçme.

Kjo tarifë do të aplikohet mbi sasitë e produkteve hidrokarbure që i nënshtrohen detyrimit të pagesës së taksës së Akcizës. Mbledhja e kësaj pagese do të bëhet nga Autoriteti Doganor dhe do të shkojë direkt në llogarinë e Autoritetit të ri (ARS).

Tarifa specifike pritet të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave çdo vit, duke e bërë atë subjekt të lëkundjeve të çmimeve ndërkombëtare.

Projektligji i ri zëvendëson ligjin ekzistues të vitit 1999, i cili detyronte vetëm industrinë e naftës - kompanitë e tregtimit me shumicë dhe rafineritë - për mbajtjen e rezervës. Me ligjin e ri, ky detyrim kalon te Autoriteti publik i krijuar enkas.

Në rast të ndërprerjes së furnizimit, Këshilli i Ministrave do të marrë vendimin për përdorimin e rezervave të sigurisë, në përputhje me “Planin Kombëtar të Reagimit”. Pasi rezerva të jetë përdorur, ajo duhet të zëvendësohet shpejt brenda periudhës së rënë dakord.

Projektligji thekson se pavarësisht vonesave - detyrimi duhej të kishte nisur më 1 janar 2024 - ky akt është thelbësor për harmonizimin me Acquis Communautaire dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat