Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është një nga vendet më të avancuara të NATO-s në aspektin e infrastrukturës digjitale dhe mbrojtjes kibernetike, gjatë fjalës së tij në Konferencën për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s që po zhvillohet në Tiranë.
“Është kënaqësi t’ju mikpres në Tiranë në këtë ngjarje të rëndësishme, ku diskutojmë mbi një fushë që tashmë është ndër më jetësoret për sigurinë e vendeve tona – hapësira kibernetike”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar sulmit kibernetik të ndodhur ndaj Shqipërisë, Rama tha se Tirana ka ditur t’ju mbijetojë sulmeve. “Ne e dimë mirë sesi ndihesh kur je viktimë e një sulmi të tillë. Ne u goditëm, por i mbijetuam atij sulmi, dhe kjo vetëm falë investimeve tona në një infrastrukturë moderne dhe të sigurt”.
Sipas Kryeministrit, Shqipëria është sot ndër vendet me mbrojtjen më të avancuar digjitale në NATO. “Kemi ndërtuar një prej mureve mbrojtëse më të forta në hapësirën digjitale mes vendeve të NATO-s.”
Rama theksoi se mesatarisht vendi përballet me një sulm kibernetik çdo tre minuta, por sistemet mbrojtëse janë në gjendje t’i neutralizojnë ato në kohë reale. “Përballemi çdo tre minuta me një sulm, por ia dalim t’i zbrapsim tërësisht”.
Një ndër elementët kyç të mbrojtjes, sipas Ramës, është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale.
“Kemi futur inteligjencën artificiale në sistemin tonë të sigurisë, e cila ndihmon në zbulimin e hershëm të çdo përpjekjeje për sulm kibernetik”.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rolin e transformimit digjital në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. “Ne kemi investuar në digjitalizim për të shmangur korrupsionin dhe për të kursyer kohën e qytetarëve që dikur sorollateshin për një dokument”.
Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike në Tiranë mbledh përfaqësues të vendeve anëtare, ekspertë dhe drejtues të teknologjisë së lartë për të ndarë përvoja dhe strategji në një kohë kur sulmet kibernetike janë kthyer në kërcënim të përditshëm për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.