Detaje tronditëse janë zbuluar nga dosja hetimore e vrasjes së Klevis Lleshit më 2020. SPAK ka zbardhur autorët e këtij krimi pas pesë vitesh, të cilët janë paguar 50 mijë euro. Trupi i Klevis Lleshit u gjet pak kohë pas vrasjes në një fshat të Kurbinit ndërsa pronari i një ullishteje, Edmond Kolaveri ishte ai që njoftoi policinë për gjetjen e kockave.
Kolaveri tha se kafkën e të riut dhe disa kocka, i kishte sjellë qeni i tij dhe menjëherë lajmëroi efektivët. I pyetur nga grupi hetues në vendngjarje, i zoti i ullishtes nuk diti të japë shpjegime më të gjata se si kishin përfunduar ato eshtra në pronën e tij. Madje ai tha se as kishte parë dhe as dëgjuar ndonjë gjë të pazakontë gjatë kohës që punonte aty.
Pas kqyrjes së mëtejshme të vendit të ngjarjes, u fiksua ndërkohë edhe një kockë si ajo e gjymtyrëve të sipërme dhe tre kocka të tjera të vogla. Po kështu 250 metra nga ana jugore e vendit ku u gjet kafka, brenda rrethimit të ullishtes, mbi përrua, u fiksuan të shpërndara në një sipërfaqe rreth 30 metra, mbetje kockash të dekompozuara si ato të qenieve humane.
Si dhe pjesa e një nofulle të poshtme si ato të kafkave të qenieve humane, në të cilën janë vënë re prania e dhëmbëve fundorë të pjekurisë. Po kështu 3 metra mbi rrethimin e ullishtes u fiksuan një palë pantallona të shkurtra si ato sportive me mbishkrimin ‘Nike’ si edhe një fëshfëshe e padëmtuar. Ndërsa në distancën 12 metra u fiksuan një palë mbathje.
Sipas përshkrimit të vendngjarjes, pozicioni ku u gjet trupi tashmë i dekompozuar ndodhej brenda rrethimit me rrjetë të ullishtes. Por, Klevis Lleshi u pa për herë të fundit atë pasdite gushti teksa qëndronte me shoqërinë e tij në një nga lokalet, pranë zonës ku banonte. Që nga ai moment ai u zhduk sikur njëherësh ta kishte përpirë dheu.
Pa lënë asnjë njoftim, qoftë edhe për të lajmëruar nënën e tij, e fundit që kishte kontaktuar me të, gjatë orëve të paradites të po asaj dite, të datës 5 Gusht të vitit 2020.
Nëna, e cila duke ditur problematikat e të birit që ndërkohë rrinte i fshehur pasi ishte shpallur në kërkim nga policia, por edhe të familjes së tyre që ishte në hasmëri të gjatë me një tjetër fis në zonë, ishte gjithmonë në merakun se të birit do t’i ndodhte diçka e keqe.