Policia e Shtetit u ka bërë sot thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm ndaj mesazheve dhe lidhjeve të rreme që imitojnë faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe kërkojnë të dhënat personale bankare.
Në një njoftim, Policia e Shtetit paralajmëron se bëhet fjalë për tentativë mashtrimi kibernetik që ka si qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të kartave bankare apo kodeve të qasjes në llogari online.
Qytetarët duhet të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS apo rrjeteve sociale, të mos japin të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare dhe të kontrollojnë adresën e saktë të faqes.
“Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik”, thuhet në njoftim.